Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi pretendon se Prishtina fitoi me vendime të padrejta të gjyqtarëve ndaj Drenicës në kuadër të javës së 12-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Prishtina regjistroi fitoren e parë në shtëpi 1-0 kundër Drenicës me golin e vetëm të shënuar nga Besnik Krasniqi tetë minuta para fundit, shkruan Demokracia.com.
Rasti diskutabil i minutës së 60-të po vazhdon të komentohet në opinionin futbolldashës.
Denisson i Drenicës u rrëzua në zonën e Prishtinës, ndërsa gjyqtari kryesor, Shala edhe pas rishikimit me VAR nuk akordoi penallti, duke e ndëshkuar lojtarin me të verdhë për simulim.
E Munishi pas ndeshjes ka reaguar nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook duke potencuar se vazhdon të jetë tifoz i Drenicës, edhe pse sipas tij, atyre iu bë e padrejtë në këtë përballje.
“Unë vazhdoj të jem tifoz i Drenicës edhe kur e mundin me hile”, shkroi Munishi.
I ashpër me ndarjen e drejtësisë ishte edhe trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku që i quajti vendimet e gjyqtarit Shala si të njëanshme dhe tendencioze. /Demokracia.com