Në Kosovën e vitit 2025, kur sfidat ekonomike dhe institucionale kërkojnë vizion dhe stabilitet, kur vendi ka nevojë të riparojë raportet e lënduara me miqtë ndërkombëtarë, kur Kosova duhet ta rrumbullakojë shtetësinë, Bedri Hamza është njeriu më i duhur për ta drejtuar qeverinë e Kosovës pas 9 shkurtit të këtij viti.
Me një karrierë mbi dy dekada në shërbim të shtetit, ai ka dëshmuar se është jo vetëm një ekspert i ekonomisë, por edhe një lider i matur e pragmatik.
Nga Ministria e Financave deri te Banka Qendrore e Kosovës, Bedri Hamza ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Si guvernator, ai e vendosi këtë institucion vital mbi baza të shëndosha, duke garantuar stabilitetin financiar të vendit.
Në rolin e ministrit, ai administroi me përkushtim një buxhet vjetor prej 1.2 miliardë eurosh, duke realizuar ngritje pagash për të gjithë punonjësit e sektorit publik pa e vënë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale.
Gjatë mandatit të tij si ministër i financave, peizazhi gjeografik i Kosovës pësoi ndryshime të mëdha me ndërtimin e dy autostradave të rëndësishme.
Nën udhëheqjen e tij, filloi ndërtimi i “Rrugës 6”, që lidh Prishtinën me Hanin e Elezit drejt Shkupit, duke përmirësuar infrastrukturën dhe lidhjet rajonale të vendit.
Ekspertiza profesionale e Bedri Hamzës nuk është thjesht teknike – ajo është mishërim i përkushtimit ndaj Kosovës.
Cilësitë e tij morale e njerëzore po shfaqen qartë gjatë fushatës aktuale si kandidat për kryeministër. Bedri Hamza po dëshmon kulturë të lartë politike, si zë i arsyes, larg populizmit dhe demagogjisë.
Kështu, me fushatën e tij zgjedhore, Bedri Hamza, jetës sonë politike po i jep një sharm të mirëfilltë demokratik, duke qëndruar larg fjalorit toksik dhe duke dëshmuar karakterin bashkues të qytetarisë së Kosovës.
Bedri Hamza me sjelljen dhe shfaqjet publike kudo po i forcon indet e demokracisë, duke u bërë model dhe antidot për gjuhën e kontaminuar që po ndjell injorim, përbuzje, shkatërrim dhe nihilizëm.
Pa diskurs mohues, Bedri Hamza, po e humanizon skenën politike me një pozitivitet, që thelbin e ka te motoja e qetë dhe i qartë për ta bërë më mirë Kosovën. Pa aureolën e të fortit dhe të Atit të Kombit, Bedri Hamza po ecën për toke me verikalitet të bazuar në vlerat më fisnike që ka krijuar njerëzimi si: modestia, nderi, sjellja njerëzore dhe ndërgjegjja e lartë publike.
Pa arrogancë dhe mendjemadhësi, pa demagogji e premtime boshe, Bedri Hamza është njeriu i duhur që me artin e qetësisë dhe vendosmërinë e hekurt e bën realitetin atë që premton.
Bedri Hamza është nyje ndërlidhëse midis vlerave atentike kombëtare dhe vizionit të Kosovës si shtet modern me synime për integrime euroatlantike.
Që në hapjen e fushatës zgjedhore, Bedri Hamza bëri një gjest sa simbolik, aq edhe domethënës: ai puthi kapelën ushtarake të një fëmije me stemën e UÇK-së. Nuk ka simbolikë dhe dashuri më autentike se ky moment, që përmbledh përkushtimin e tij ndaj vlerave të lirisë dhe trashëgimisë kombëtare. Ky nuk ishte një gjest aktrues, por një reflektim i ndjenjës së tij të thellë për sakrificën dhe historinë e Kosovës.
Prandaj, një kandidat i tillë, si Bedri Hamza me një përvojë të pasur dhe me qasje të ekuilibruar, edhe pse i një partie me vlera klasike shtetformuese, i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, është lideri që i duhet Kosovës për ta udhëhequr drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimeve ndërkombëtare.
Suksese z. Bedri Hamza!