Shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuel Joifre, ka thënë se nuk bëhet fjalë për sanksione ndaj Serbisë, përkundër se ky shtet po refuzon t’i dënojë krimet që Rusia po i kryen në Ukrainë.
Joifre gjatë ditës së sotme ka thënë se Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, ka marrë të njëjtat masa si unioni kur është fjala për refugjatët ukrainas, përcjell Demokracia.com.
“Serbia është kandidate, ka marrë të njëjtat masa si Bashkimi Evropian, ka hapur derën për refugjatët, u ka siguruar akses në tregun e punës, arsim. Janë bërë shumë hapa pozitivë. Duam qeverinë serbe dhe popullin serb për të qenë me ne, duke kundërshtuar agresionin në Ukrainë”, ka thënë ai.
I pyetur nëse BE-ja po mendon për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë, Jiofre tha se nuk ekziston një gjë e tillë.
“Ne kemi një dialog të vazhdueshëm me qeverinë serbe, do të vazhdojmë të flasim pas zgjedhjeve. Serbia ka rritur shkallën e përafrimit me politikën e jashtme evropiane. Ne po ecim në drejtimin e duhur, pritshmëritë janë atje, sepse Serbia tha se qëllimi i saj strategjik është për anëtarësim në union, do të ketë bisedime me qeverinë e re”, tha Jiofre, përcjell Demokracia.com.
Jiofre shtoi se nuk mund të përgjigjet më konkretisht nëse Serbia si vend kandidat për anëtarësim në BE duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
“Ne e dimë se Serbia është në një pozitë delikate, energjia e saj është e varur nga Rusia, ne duhet të merremi me atë çështje. Pse Evropa vendosi të ndalojë importin e gazit nga Rusia? Energjia është një çështje kyçe, BE-ja ka vendosur të reduktojë qymyrin, importet e naftës dhe gazin nga Rusia. Ne do të dalim me një plan për ta realizuar atë. Ne duam të reduktojmë varësinë tonë nga energjia ruse dhe ta heqim atë. Ne e shohim Ballkanin Perëndimor dhe Serbinë bashkë me ne. Ne duam të kundërshtojnë agresionin rus”, tha ai në fund./Demokracia.com/