Lajme
BE “spekulim”, Bislimi “informacion”: A do të hiqen masat ndaj Kosovës?
Demokracia
18:03 | 17 Qershor 2024

Share:

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, javën e kaluar tha se të ketë “informacione” se në raportin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të rekomandohet për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

Por, këtij pohimi optimist të Bislimit i ka reaguar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke e quajtur “spekulim nga jashtë” teksa nuk ka shpërndarë më shumë detaje.

Kjo është diçka institucionale mes Përfaqësuesit të Lartë dhe vendeve anëtare. Kështu që nuk na duhet dikush nga jashtë që të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret. Do të bëhet në kohën e përshtatshëm për Përfaqësuesin e Lartë dhe vendet anëtare, që do të jenë të parat që do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen, para se të marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo do të ndodhë, atëherë do t’i kumtojmë rezultatet. Nuk ka hapësirë dhe arsye për spekulime publike nga akterë të ndryshëm”, ka ka deklaruar Stano në konferencën e tij ditore për media.

Çka thoshte Bislimi?

Sanksionet – të quajtura zbutësisht masa ndëshkuese – pritet të hiqen ose jo nga raporti që supozohet të jetë “në fazën finale të përpilimit” nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Bislimi – duke u thirrur në informacionet e tij – tha javën e kaluar në Komisionin për Integrime Evropiane se raporti i Borrell ka qenë gati “qysh në prill” por se disa vende kanë qenë të interesuara ta shtyjnë dorëzimin e tij; dhe që, rrjedhimisht, masat të mbesen në vend.

Ka pasur hezitime të dërgohet [raporti] në komision, për shkak se, si duket, ka disa individë që kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe si rezultat ta dëmtojnë Kosovën”, tha ai, pa shpjeguar.

Raporti është dashur të dorëzohet pardje, mirëpo një pjesë e Komisionit kanë kërkuar të shtyhej dhe besoj që do të dorëzohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme, përmbajta e raportit mesa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave”, kishte theksuar Bislimi.

Gërvalla?

Në anën tjetër, Donika Gërvalla, Ministre e Jashtme, po javën e kaluar ishte shprehur “aspak optimiste” me raportin në ardhje të Borrell-in, të cilin, hiç më larg se para disa dite, e quajti “jo parimor” në dritën e marrjes së këtij vendimi ose jo.

Nuk është se kam pritje të mëdha…Joparimor ka qenë qëndrimi i Borrellit në përgjithësi ndaj temave mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk është se kam pritje të larta në hapat e fundit që mund dhe duhet të ndërmerren”.

“Ato masa kanë qenë objekt i një negocimi të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi me emisarin Miroslav Lajçakun në Bratislav…Jo vetëm që janë përmbushur ato pesë pika për të cilat janë kuptuar, por janë mbi përmbushur shumëfish, prandaj nuk e di çfarë të them”, ka thënë Gërvalla për “KosovaPress”.

Ndryshe, dëmi nga masat e BE-së nuk është përllogaritur asnjëherë saktësisht, por eksponent të opozitës shpeshherë kanë përmendur shifra qindra-milonëshe, në dëm të Kosovës.

Të ngjashme