Lajme
BE sërish me reagim të ashpër: Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është për keqardhje
Demokracia
15:34 | 02 Shkurt 2021

Share:

Bashkimi Evropian e ka quajtur “vendim për keqardhje” hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.

Zedhënësi i BE-së, Peter Stano në një konferencë për media ka thënë se ky vendim e largon Kosovës nga qëndrimet e BE-së për statusin e Jerusalemit, raporton Demokracia.com.

“Në përgjithësi është gjithmonë e mirëseardhur kur parterët tanë të jashtëm normalizojnë raportet mes tyre. Por kur është fjala e hapjes së ambasadës në Jerusalem, ky është një vendim për keqardhje i Kosovës sepse e largon Kosovën nga qëndrimet e BE-së për statusin e Jerusalemit. Të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së dhe delegacioni i BE-së janë në Tel Aviv dhe kjo është në përputhje me rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe vendimet e Këshillit të BE-së. Statusi i Jerusalemit si kryeqytet i të dyja shteteve është qëndrim i BE-së, i cili nuk ka ndryshuar” ka thënë Stano.

Stano është pyetur edhe lidhur me atë se çfarë të drejte ka BE-ja të ftojë Kosovën të mos hapë apo të hapë diku ambasadën, kur Kosova nuk ka raporte diplomatike me BE-në.

“Ne nuk kërkojmë nga Kosova të bëjë apo të mos bëjë diçka. Por themi se nëse pretendoni se keni qëllim strategjik integrimin në BE, atëherë ekziston korniza në bazë të së cilës duhet të veproni. Pra, vetëm themi se ju duhet të veproni në bazë të asaj që vetë keni deklaruar” ka thënë mes tjerash ai.

Kujtojmë se Kosova dhe Izraeli dje edhe zyrtarisht kanë nënshkruar marrëveshjen përmes së cilës kanë vendosur marrëdhënie diplomatike.

Njohja e ndërsjelltë mes dy vendeve vjen pas marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator në Shtëpine Bardhë./Demokracia.com/

 

Të ngjashme