Lajme
BE-së i kërkohet heqja e masave ndaj Kosovës pas tërheqjes së re të Policisë në veri
Demokracia
19:48 | 04 Gusht 2023

Share:

Ka nisur tërheqja e re e Policisë së Kosovës në nivelin prej 25 për qind nga dhe përreth objekteve komunale në veri. Kryeministri Albin Kurti theksoi se veprimi tregon që Kosova po e zbaton me seriozitet dakordimin e arritur me BE-në në Bratislavë. E përderisa veprimet e ndërmarra nga Qeveria u kritikuan nga partitë opozitare, në shoqërinë civile e theksuan nevojën që Bashkimi Evropian ta shqyrtojë heqjen e masave ndëshkuese për Kosovën, si dhe të ofrojë garanci për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e parakohshme në veri.

Prania e Policisë së Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në komunat veriore, nga e premtja ka rënë në 50 për qind të asaj që ishte rreth 1 muaj më parë.

Tërheqja e pjesës së dytë prej 25 për qind është bërë në bazë të dakordimit të arritur në Bratislavë, muajin e shkuar.

Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është duke e zbatuar me seriozitet e kujdes, dakordimin e arritur më 10 korrik. Ai theksoi se situata e sigurisë në veri është më e qetë, por që do të veprohet me vigjilencë për të shmangur një ripërshkallëzim potencial.

“Ashtu qysh kemi thënë para më shumë se dy muajve: 1) nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional; 2) zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”, ka thënë Kurti.

Por veprimet e Kurti në funksion të shtensionimit në veri u kritikuan nga partitë opozitare.

Përfaqësues të PDK-së e LDK-së thanë se si pasojë e tyre, Kosova është ndëshkuar nga Bashkimi Evropian.

“Përderisa kryeministri mendon që këto masa janë të mjaftueshme për të heqë sanksionet e vendosura nga BE dhe aleatë të tjerë, Bashkimi Evropian e aleatët e tjerë po vazhdojnë t’ia ripërsërisin kryeministrit të njëjtën kërkesë që e kanë bërë nga fillimi, do të thotë që t’i përmbushë ato tri pikat të cilat është dakorduar Këshilli i BE-së dhe që përfshin tërheqjen e të gjitha forcave, shpallje e zgjedhje e të tjera”, ka deklaruar anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj.

“Dëmi i madh që është bërë edhe në pjesën e brendshme dhe jashtme të partneritetit, tash morëm sanksionet nga BE-ja për këtë sjellje të tillë. Kjo tërheqje shihet si një lojë e ndytë e Kurtit në raport më dështimin e tij në procesin e dialogut dhe rënies së tij më grackën e Aleksandër Vuçiqit”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

E Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike thotë se pas veprimeve të ndërmarra nga Kosova, Bashkimi Evropian duhet të bëjë veprime në dy drejtime.

“Në një rrafsh të diskutohet mbi largimin e masave sanksionuese që janë vendosur për Kosovën dhe nën dy ofrimi i garancive për pjesëmarrje të komuniteti serb në zgjedhjet lokale në komunat veriore të vendit”, ka thënë Fetahu.

Zvogëlimi edhe për 25 për qind i pranisë policore në dhe përreth objekteve komunale në veri, është bërë pas vlerësimit të situatës së sigurisë nga Policia, EULEX-i e KFOR-i.

E njoftimin për tërheqjen e re të policisë e ka përshëndetur gjatë së enjtes emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, duke e kualifikuar si një hap të rëndësishëm drejt shtensionimit të plotë në veri.

Të ngjashme