Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sapo prezantoj ekipin e saj për 5 vitet e ardhshme, ku BE pritet të përballet me sfida deri ekzistenciale. Raporti Draghi është diagnostikues, paralajmërues dhe rekomandues. Aty theksohet se “Vlerat themelore të Evropës janë prosperiteti, barazia, liria, paqja dhe demokracia në një mjedis të qëndrueshëm”. Paralajmërimi se nëse Evropa nuk mund t’i sigurojë më vlerat themelore për popullin e saj, ose duhet të shkëmbejë njërin kundër tjetrit ose ajo do të ketë humbur arsyen e ekzistencës” është shumë serioz për lidershipin politik të Evropës dhe partnerët e saj strategjikë.
Domosdoshmëria e reformave që do të rritin produktivitetin vlerësohen si e vetmja mundësi që BE të reduktojë pasojat e “deficitit demografik dhe deficitit inovator”. Pa ringritjen e BE-së, edhe çdo shtet sado i madh i Evropës, do të jetë një fuqi shumë më e vogël ekonomike dhe gjeopolitike. E vetmja mënyrë për t’u bërë më produktive është që Evropa të ndryshojë rrënjësisht. Pas Planit Marshall dhe gjatë viteve 1950-1970, që konsiderohet periudha e artë e rritjes ekonomike, BE është rritur më shpejt edhe se SHBA-të. BE ka provuar strategji të ndryshme të rritjes, por tendenca ka mbetur e pandryshuar. Prandaj nga viti 2000 të ardhurat reale të disponueshme në SHBA janë rritur pothuajse dy herë më shumë sesa në BE. Lidershipi i BE-së ngadalësimin afatgjatë të rritjes e ka parë si një shqetësim, por jo një fatkeqësi. Vetëm katër nga 50 kompanitë më të mira të teknologjisë në botë janë evropiane.
Tri prioritete për rritjen e produktivitetit janë: inovacioni, dekarbonizimi dhe konkurrenca dhe konsolidimi i paqes nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të saj mbrojtëse. Për këto prioritete, BE ka nevojë për investime shtesë deri në 800 miliardë euro në vit. Investimet gjatë Planit Marshall ishin rreth 1-2% të PBB-së në vit. Ndërsa kjo paketë vlerësohet 3-5% e GDP-së të BE-së, ose gati dyfish më shumë. Skema e financimit propozohet emetimi i një eurobondi. Në opsionin pozitiv vlerësohet se rritja e produktivitetit do të mbështesë rritjen e ekonomisë evropiane dhe do të lehtësojë shlyerjen e eurobondit. Eurobondi mund të ulë koston dhe të rrit shpejtësinë e implementimit të reformave të propozuara. Deri tani ky propozim ka rritur vetëm qëndrimin kundërshtues të disa vendeve evropiane ndaj rekomandimit të eurobondit, duke filluar nga Gjermania. Inovacioni – BE po vuan një “deficit inovacioni”.
Evropa duhet të mbyllë hendekun e inovacionit në teknologjitë e avancuara me SHBA-të dhe Kinën. Deri sot nuk ka asnjë kompani të BE-së me një kapital tregu mbi 100 miliardë euro që është krijuar nga e para. Gjashtë kompanitë amerikane me një vlerësim mbi një trilion euro janë krijuar në këtë periudhë. BE shpenzoi 270 miliardë euro më pak se homologët e tyre amerikanë në vitin 2021 për kërkimin dhe inovacionin (R&I). Tre investitorët kryesorë në R&I në Evropë janë dominuar nga kompanitë e automobilave për njëzet vitet e fundit. BE po dështon ta përkthejmë inovacionin në komercializim. Kjo imponon ndryshime strukturore drejtë sektorëve më produktivë dhe që veprojnë në tregje të mëdha dhe në rritje. Midis 2008 dhe 2021, afër 30% e “unicorns\startups të themeluar në Evropë që vlerësoheshin mbi 1 miliard dollarë – i zhvendosën selitë e tyre jashtë BE-së, shumica dërrmuese në SHBA.
Evropa duhet të zhbllokojë potencialin inovativ. Pengesa kryesore për kompanitë në teknologjitë e reja janë rregullat shtrënguese evropiane krahasuar me konkurrentet e saj gjeopolitike. Draghi propozon masa derregullatore dhe partneritet me sektorin privat.
Dekarbonizimi dhe konkurrenca. Më shumë se një e pesta e teknologjive të pastra dhe të qëndrueshme në mbarë botën zhvillohen në Evropë. Kjo rrit kostot e kompanive evropaine dhe i bënë më pak konkurruese. Ekziston rreziku që dekarbonizimi mund të jetë në kundërshtim me konkurrencën dhe rritjen. Çmimet e energjisë për kompanitë e BE-së ende janë 2-3 herë më të larta se në SHBA dhe çmimet e gazit 4-5 herë më të larta. Kompanitë evropiane janë më pak konkurruese. Përfitimet e dekarbonizimit duhet të mbërrijnë te përdoruesit fundorë ose çmimet e energjisë do të vazhdojnë të pengojnë rritjen. BE nuk favorizon kompanitë konkurruese evropiane të industrisë së mbrojtjes. Midis mesit të vitit 2022 dhe mesit të vitit 2023, 78% e shpenzimeve totale të prokurimit shkuan për furnitorë jashtë BE-së, nga të cilët 63% në SHBA.
Sektori publik në BE shpenzon për R&I sa edhe SHBA-të, por vetëm një e dhjeta e këtij shpenzimi bëhet në nivel të BE-së. “BE-ja do të duhet të zhvillojë një ‘politikë të jashtme ekonomike’ për sigurimin e zinxhirëve të furnizimit. Rreth 40% e importeve të Evropës vijnë nga një numër i vogël furnizuesish, të cilët janë të vështirë për t’u zëvendësuar dhe rreth gjysma e këtij vëllimi vjen nga vendet me të cilat blloku nuk është ‘i lidhur’. Epoka e tregtisë së hapur globale të qeverisur nga institucionet shumëpalëshe duket se po kalon. BE duhet të përpiqet të sigurojë që politika e tij e konkurrencës të mos bëhet “barrierë për qëllimet e Evropës”, veçanërisht në sektorin e teknologjisë.
Paqja e qëndrueshme mbetet objektivi i parë dhe kryesor i Evropës. Siguria është një parakusht për një rritje të qëndrueshme. Konfliktet gjeopolitike kërkojnë rritjen e kapacitetit industrial të mbrojtjes. BE vuan nga mungesa e standardizimit dhe ndërveprimit të pajisjeve, duke dobësuar aftësinë e saj për të vepruar si një fuqi kohezive. Për shembull, dymbëdhjetë lloje të ndryshme tankesh luftarake prodhohen në Evropë, ndërsa SHBA prodhon vetëm një.
Kriza e BE-së është në thelb krizë e qeverisjes së saj për aq kohë sa vetoja bllokuese edhe e një shteti të vetëm pengon vendimmarrjet e Komisionit Evropian. Kjo është shumë penguese në kohën e krizave. Një proces legjislativ në BE zgjat rreth 19 muaj nga propozimi i Komisionit deri te nënshkrimi i aktit të miratuar. Evropa ka arritur në pikën ku, pa veprim, do të komprometojë mirëqenien, mjedisin dhe lirinë. Ajo që BE nuk mund të bëjmë është të mos ecë fare përpara. Kombet evropiane do të kenë nevojë për partnerë që mund t’i ndihmojnë ata të zbatojnë vizionin e tyre. Shtetet e Bashkuara mund të japin kontribut domethënëse.
“Nëse Europa nuk mund të bëhet më produktive, do të detyrohet të zgjedhë, pasi nuk do të jetë në gjendje të bëhet menjëherë një lider në teknologjitë e reja, një fener i përgjegjësisë klimatike dhe një lojtar i pavarur në skenën botërore. BE nuk do të jetë në gjendje të financojmë modelin e ekonomisë sociale të tregut. Ajo do të duhet të zvogëlojmë disa, nëse jo të gjitha, ambiciet e saj”. BE ka jo pak avantazhe, por ato shpesh janë në nivel kombëtar dhe jo evropian. Thellimi i integrimit është domosdoshmëri imediate. Zgj erimi i integrimit fuqizon paqen dhe rrit mirëqenien jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimorë.