Lajme
BE: Për targat kërkohet fleksibilitet dhe kompromis
Demokracia
11:17 | 21 Prill 2022

Share:

Në prag të afatit për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për targat e automjeteve nga Kosova dhe Serbia, zyrtarët evropianë paralajmëruan nevojën e arritjes së një marrëveshjeje.

“Ne vazhdojmë t’ua kujtojmë se është urgjente të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kjo do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis. Nuk mund të presim sepse disa nga çështjet kërkojnë veprim urgjent nga ana jonë”, tha Elsa Fenet, shefe e divizionit të Ballkanit Perëndimor në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm.

Kosovës dhe Serbisë sot, më 21 prill, u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, sot do të takohet ndaras me kryenegociatorët nga Prishtina dhe Beogradi, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin, në një përpjekje përfundimtare për të arritur një marrëveshje për targat.

Tani për tani, e vetmja gjë e sigurt është se Lajçak do të takohet ndaras me bashkëbiseduesit e tij nga Prishtina dhe Beogradi. Nëse do të ketë një takim trilateral, pra një takim ku të tre do të jenë bashkë, kjo do të ishte një tregues se palët po i përafrojnë qëndrimet e tyre dhe se arritja e një marrëveshjeje për këtë çështje është e mundur.

Lajçak, më 20 prill porositi se u takon kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë “një marrëveshje për të lëvizur përpara” sa i përket çështjes së targave, kur të takohen më 21 prill.

Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Marrëveshja është arritur pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti. Me ato masa, automjetet me targa të Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, është dashur të vendosin targa të përkohshme – ngjashëm siç kanë vepruar shoferët e automjeteve me targa të Kosovës kur kanë hyrë në Serbi.

Të ngjashme