Lajme
BE: Paketa e shtatë e sanksioneve shënjestron importet e arit rus
Demokracia
18:59 | 15 Korrik 2022

Share:

Bashkimi Evropian ka shënjestruar eksportet e arit rus në paketën e shtatë të sanksioneve të propozuar sot nga Komisioni Evropian.

“Paketa forcon sanksionet e BE-së kundër Kremlinit”, tha në një deklaratë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Propozimi i komisionit parashikon një ndalim të eksporteve të arit të Rusisë në bllok, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të harmonizuar sanksionet e BE-së me grupin e shtatë vendeve kryesore të industrializuara (G7) dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Gjashtë raundet e mëparshme të sanksioneve kanë shënjestruar ekonominë e Rusisë, sistemin financiar, bankën qendrore, zyrtarët e lartë të qeverisë, si dhe presidentin rus Vladimir Putin dhe rrethin e tij të ngushtë.

Disa nga masat ndëshkuese kanë filluar të hyjnë në fuqi vetëm muajin e kaluar pas një periudhe tranzicioni.

Megjithatë, komisioni tha se paketa e fundit do të përforcojë përafrimin e sanksioneve të BE-së me ato të partnerëve tanë G7.

Ndër masat e komisionit janë, rritja e kontrolleve për mallra të caktuara që kanë përdorim të dyfishtë civil dhe ushtarak, si dhe kërkesa më të rrepta raportimi për të përmirësuar ngrirjet e aseteve të BE-së./ATSH

Të ngjashme