Demokracia.com sot ka raportuar se Bashkimi Evropian nuk do dërgojë vëzhgues në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt në Kosovë. Nga Zyra e BE-së thonë se megjithatë do të dërgojnë një mision të Ekspertëve Zgjedhorë, ndërkaq Demokracia në Veprim vlerëson se një vendim i tillë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e procesit.
Bashkimi Evropian për shak të afatit të shkurtë por edhe për shkak të pandemisë në të cilat gjendemi ka vlerësuar si të pamundur pjesëmarrjen në këto zgjedhje të parakohshme parlametare që do të mbahen në Kosovë, i ka shkruar Ushtureses së Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kërkesën e saj drejtuar BE-së që edhe këtë herë të dërgojë vëzhgues.
Megjithatë, sipas dokumentit të siguruar nga Demokracia.com, nga BE-ja pritet të vijnë nga tre ekspertë të cilët do të qëndrojnë deri më 28 shkurt dhe do ta vlerësojnë punën e KQZ-së, rolin e mediave, përfshirë mediat on-line; pastaj procesin e regjistrimit të votuesve dhe kandidatëve, fushatën, votimin dhe numërimin si dhe procesin e apelimeve.
Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka pyetur Zyrën e BE-së, të cilët po ashtu kanë konfirmuar se do të dërgojnë një Mision të Ekspertëve Zgjedhorë, për të mbështetur zgjedhje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente.
“Duke pasur parasysh afatin e shkurtë, nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për BE-në që të dërgojë një MVZ (Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve) të plotë për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të parakohshme. Sidoqoftë, ne do të dërgojmë një Mision të Ekspertëve Zgjedhorë (EEM) për të mbështetur zgjedhje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente. BE-ja ka treguar angazhim dhe mbështetje të fuqishme për zgjedhjet parlamentare dhe komunale në Kosovë, duke vendosur disa MVZ që nga viti 2013. BE ka dhënë një sërë rekomandimesh dhe vazhdon të kërkojë nga të gjitha palët relevante të ndjekin këto rekomandime në mënyrë që të fuqizojnë dhe përmirësojnë procesin zgjedhor”, thuhet në përgjigjen e Shefes së Seksionit për Komunikim në Zyrën e BE-së në Kosovë.
Ndërkaq, nga Demokracia në Veprim, organizatë kjo që vazhdimisht monitoron zgjedhjet në Kosovë dhe angazhohet për promovimin e zgjedhje të lira dhe të drejta, kanë thënë se do t’i vëzhgojnë zgjedhjet e 14 shkurtit dhe se Kosova ka avancuar në procesin zgjedhor.
Sipas tyre, mungesa e misionit të BE-së nuk ndikon në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe prezenca e tyre nuk do të ishte ndonjë vlerë të shtuar për këto zgjedhje
“Demokracia në Veprim, si rrjeti më i madh vendor i organizatave që vëzhgojnë zgjedhjet në vend, do t’i vëzhgojë edhe këto zgjedhje, ndonëse me numër të reduktuar të personave të angazhuar. DnV ka vëzhguar secilin proces zgjedhor në Kosovë që nga viti 2007, duke kontribuar në rritjen e besueshmërisë së publikut në procesin zgjedhor, përmes ofrimit të të dhënave të paanshme, transparente dhe në kohë të shpejtë për të gjitha zhvillimet lidhur me procesin”, ka thënë për Demokracia.com Eugen Cakolli, nga KDI që organizon organizatat jo-qeveritare në rrjetin Demokracia në Veprim.
“Konsideroj po ashtu që Kosova ka avancuar ndjeshëm në organizimin e zgjedhjeve, e madje shërben si model për shumë vende tjera,” thotë DnV. Prandaj, bazuar në këto avancime, nevojën për futjen në përdorim të teknologjisë edhe sa i përket vëzhgimit, por edhe situatën me pandeminë, këto zgjedhje DnV ka vendosur që përmes metodës PVT të vëzhgojë një numër të caktuar të vendvotimeve”, ka sqaruar Cakolli.
“Vendimi i BE-së për të mos dërguar mision të vëzhgimit, siç ndodh rëndom, besoj që ndërlidhet me situatën me pandeminë. Sidoqoftë, mungesa e misionit të BE-së, nuk ndikon në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, e as në integritetin e tij, ndonëse prezenca e tyre do të paraqiste vlerë të shtuar për këto zgjedhje”, thuhet në përgjigjen e DnV-së.
Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet që të mbahen më 14 shkurt, kjo pas rrëzimit të Qeverisë Hoti të cilën Gjykata Kushtetuese e shpalli jolegjitime./Demokracia.com