Lajme
BE nënshkruan marrëveshje për import të gazit me Egjiptin dhe Izraelin
Demokracia
19:14 | 15 Qershor 2022

Share:

Bashkimi Evropian, Egjipti dhe Izraeli kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi trepalësh, për eksportin e gazit natyror në vendet evropiane.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua në Kajro, do të ndihmojë në reduktimin e varësisë energjetike të bllokut nga Rusia.

“Çfarë momenti i veçantë. Të tre palët synojnë të ndërtojnë infrastrukturë të përshtatshme për burimet e rinovueshme – energjinë e së ardhmes”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas memorandumit, të tre palët do të punojnë së bashku për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm të gazit natyror në tregun evropian.

BE-ja do të ndihmojë gjithashtu Egjiptin dhe Izraelin të rrisin prodhimin dhe eksplorimin e gazit në ujërat e tyre territoriale përkatëse.

Vitin e kaluar, BE importoi rreth 40 përqind të gazit të saj nga Rusia. Pushtimi i Ukrainës shkaktoi një ndryshim të mprehtë në politikën e BE-së që nënkuptonte kërkimin e burimeve alternative të energjisë.

Ministri egjiptian i naftës, Tarek el-Molla, e përshkroi marrëveshjen si një moment historik, të rëndësishëm për bashkëpunimin mes Egjiptit, Izraelit dhe BE-së, raporton DW, transmeton Klankosova.tv.

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, gjithashtu përshëndeti marrëveshjen në një postim në Tëitter duke thënë: “Për herë të parë në histori, Izraeli do të bashkëpunojë me Egjiptin dhe do të eksportojë gaz natyror bardh e kaltër në Bashkimin Evropian”.

Gjatë viteve të fundit ka pasur një përmirësim gradual të marrëdhënieve mes Egjiptit dhe Izraelit.

Të ngjashme
Lajme • 13 Maj 2024