Lajme
BE kërcënon Serbinë me pezullim të liberalizimit të vizave
Demokracia
21:38 | 14 Tetor 2022

Share:

Komisionerja për Punët e Brendshme e bllokut evropian, Ylva Johanson, tha se nuk përjashtohet mundësia që Bashkimi Evropian të pezullojë liberalizimin e vizave për Serbinë. Kjo për shkak të rritjes së madhe të emigrantëve që shkojnë në BE përmes Serbisë.

“Shpresoj se Serbia dhe partnerët e tjerë nga Ballkani Perëndimor do të bashkëpunojnë me ne dhe do të përshtatin regjimin e tyre të vizave me atë të BE-së. Por, në këtë moment kjo nuk është diçka që mund të përjashtohet”, u shpreh komisionerja Johanson.

Këtë deklaratë e bëri para takimit të ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, që po mbahet në Luksemburg.

Ajo nënvizoi në veçanti faktin se qytetarët nga Kuba Burundi, India dhe vendet tjera vijnë në numër më të madh në BE përmes Ballkanit, dhe shtoi se me këtë çështje duhet të merren të gjithë.

“Ajo që bën Komisioni Evropian, e në këtë drejtim do të punojë edhe më shumë, është që mesazhi të arrijë deri te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, se na duhet përshtatje e regjimit të vizave në mënyrë që të ndalet vala e atyre që vijnë pa viza në Ballkan dhe vazhdojnë drejt BE-së”, tha komisionerja Johanson.

Për çështjen e rritjes së numrit të migrantëve që shkojnë në BE përmes Ballkanit Perëndimor, foli edhe ministri i Brendshëm i Çekisë, Vit Rakushan.

“Po shoh numër gjithnjë e më të madh të emigrantëve, të cilët në BE po vijnë përmes ‘Rrugës së Ballkanit Perëndimor’, dhe ne po i shohim pasojat në secilin kënd të BE-së”, tha Rakushan.

Të ngjashme