Lajme
BE-ja vlerëson popullin turk për pjesëmarrjen në zgjedhje
Demokracia
15:07 | 16 Maj 2023

Share:

Bashkimi Evropian tha se mirëpret mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Turqi, si dhe daljen e lartë të qytetarëve në zgjedhje. Në komunikatën e publikuar të martën, BE-ja tha se e vlerëson përkushtimin e popullit turk “për të ushtruar të drejtën e tij demokratike për të votuar”.

“Ne vërejmë gjetjet dhe konkluzionet paraprake të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe u bëjmë thirrje autoriteteve turke t’i adresojnë mangësitë e identifikuara”, thuhet në komunikatë.

Ky institucion, në të cilin nuk është anëtare Turqia, tha se i kushton rëndësi “të madhe nevojës për zgjedhje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme”, në një betejë të barabartë.

“BE-ja pret me padurim që parlamenti i ardhshëm të marrë funksionet e tij”, përfundon komunikata.

Më 28 maj do të mbahet balotazhi për zgjedhjet presidenciale. Kandidati për këtë post, Recep Tayyip Erdogan, doli i pari në këto zgjedhje, por s’i mori votat e nevojshme për të fituar. I dyti u rendit Kemal Kılıçdaroglu.

Të ngjashme