Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në mënyrë unanime kanë miratuar vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve rusë lidhur me veprimet e tyre në Ukrainë, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.
Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se pakoja e sanksioneve e miratuar të martën “do ta dëmtojë Rusinë dhe do ta dëmtojë shumë”.
Sipas tij, sanksionet do të prekin anëtarët e Dhomës së Ulët të Parlamentit rus dhe të individëve të përfshirë në miratimin e dislokimit të trupave ruse në rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.
Borrell tha se sanksionet po ashtu do të afektojnë politikat financiare të Rusisë të lidhura me Ukrainën, duke kufizuar qasjen në tregjet financiare të BE-së.
“Kjo punë nuk ka përfunduar”, tha Borrell duke iu referuar veprimeve ruse në Ukrainë.
Më herët gjatë të martës, krerët e Këshillit dhe Komisionit Evropian thanë se sanksionet e bllokut 27 anëtarësh do të përfshinin:
Ata thanë se sanksionet, që pritet të miratohen në përgjigje të vendimit të Rusisë për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës, janë:
Po ashtu, Gjermania dhe Britania kanë ndërmarrë veprime ndaj Rusisë në përgjigje të vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur dy rajone në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se shteti i tij do të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit kontrovers, Rrjedha Veriore 2, pas veprimeve të fundit të Moskës në Ukrainë.
Ky projekt synon dërgimin e gazit rus në Gjermani.
Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur këtë vendim të Berlinit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se Uashingtoni “ka pasur konsultime gjatë natës me Gjermaninë dhe mirëpret njoftimin”.
Ndërkaq, kryeministri i Britanisë, Boris Johnson tha më 22 shkurt se do të sanksionojë pesë banka ruse dhe tre individë të pasur, përfshirë edhe Gennady Timchenko, pas vendimit të Putinit për rajonet lindore të Ukrainës.
“Sot, Mbretëria e Bashkuar po sanksionon pesë bankat ruse: Rossiya, IS Bank, General Bank, Promsvyazbank dhe Black Sea Bank. Ne po ashtu po sanksionojmë tre individë me të ardhura të larta”, tha Johnson para Parlamentit britanik.
Kombet e Perëndimit dhe vende tjera kanë dënuar vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur pavarësinë e separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonet lindore ukrainase, Donjeck dhe Luhansk.
Dy dhomat e Parlamentit rus më 22 shkurt ratifikuan traktatet e miqësisë që Putin nënshkroi me këto dy territore në lindje të Ukrainës, që kontrollohen nga separatistët.
Shtëpia e Bardhë më 22 shkurt iu referua dislokimeve të trupave ruse në lindje të Ukrainës si “pushtim”, duke lënë të kuptohet se është kaluar vija e kuqe që do të çojnë në sanksione të ashpra ndaj Moskës.
“Ne mendojmë se kjo është nisja e pushtimit, pushtimi i fundit i Rusisë në Ukrainë”, tha Jon Finer, këshilltar në Shtëpinë e Bardhë.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë zotuar se do të vendosin sanksione të reja kundër Moskës.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë më 21 shkurt se Uashingtoni është duke u koordinuar me aleatët dhe më 22 shkurt do të bëjë të ditura sanksionet e reja kundër Moskës.
Tregjet globale të aksioneve kanë rënë ndërsa çmimi i naftës është rritur pas vendimit të Putinit për të njohur pavarësinë e këtyre rajoneve dhe vendimit për të dërguar trupat ruse në to, çka ka rritur shqetësimet për luftë të plotë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka mbajtur një takim me pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ka zhvilluar biseda telefonike me disa liderë botërorë në përpjekje për të rritur mbështetjen për shtetin e tij.
“Ne presim hapa të qartë dhe mbështetje efektive nga partnerët tanë”, ka thënë ai më 21 shkurt në një fjalim televiziv.
“Është shumë e rëndësishme të shohim kush është miku dhe partneri ynë i vërtetë, dhe kush do të vazhdojë të frikësojë Federatën ruse me fjalë”, ka thënë ai.
“Ne jemi në tokën tonë”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë më 21 shkurt se vendimi i Putinit kërkon “përgjigje të shpejtë dhe të ashpër, dhe ne do të marrim hapat e duhur në koordinim me partnerët”.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, u ka thënë të hënën gazetarëve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se “nesër SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për këtë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit e integritetit të Ukrainës”.