Bashkimi Evropian po mbledh në heshtje prova për të mbështetur rastin që mediat sociale të diskutueshme dhe aplikacioni i mesazheve “Telegram” duhet t’i nënshtrohen rregulloreve më të rrepta të bllokut për moderimin e përmbajtjes.
Kështu bën të ditur kompania mediatike “Bloomberg”.
Zyrtarët në krahun ekzekutiv të BE-së po përdorin të dhëna nga disa firma të monitorimit të trafikut të internetit.
Kjo, për të vërtetuar se platforma e mediave sociale “Telegram” tërheq më shumë se 45 milionë përdorues aktivë mujorë, një prag që do t’i nënshtrohej një shqyrtimi shtesë sipas Aktit të ri të Shërbimeve Dixhitale të bllokut, zbuloi një zyrtar i Komisionit Evropian.
Të dhënat e ofruara nga Similarweb Ltd., një nga mjetet e analizës së rrjetit që BE-ja do të përdorë, sugjerojnë se aplikacioni “Telegram” kishte mesatarisht 50.7 milionë përdorues aktivë mujorë Android nga vetëm shtatë prej 27 vendeve të BE-së midis shkurtit dhe korrikut 2024.
Ndërsa ky numër mund ta kalojë Telegram-in përtej pragut të 45 milionë përdoruesve të BE-së për mbikëqyrje më të rreptë, një pjesë e madhe mund të mos llogaritet.
BE-ja nuk i konsideron shërbimet e mesazheve nën DSA dhe në përgjithësi do të duhet t’i analizojë këta klientë nga përdoruesit e grupeve dhe kanaleve të Telegram.
Arrestimi i Pavel Durov, shefit ekzekutiv të Telegram, ka rritur ndjenjën e urgjencës së rregullatorëve për të monitoruar më fort aplikacionin e mediave sociale dhe mesazheve.
Kjo media sociale përdoret shpesh nga kriminelët dhe llogaritë pro-Kremlinit për të përhapur dezinformata, shtoi zyrtari i komisionit, i cili iu dha anonimiteti për të diskutuar metodologjinë e bllokut.
Për të përcaktuar sasinë e bazës së përdoruesve të Telegram, BE-ja po merr nga burime të jashtme, duke përfshirë bazat e të dhënave nga Similarweb dhe Semrush Holdings Inc. me bazë në Boston, tha zyrtari i komisionit.
Krahu ekzekutiv i BE-së do të zbatojë interpretimin e vet për të gjitha të dhënat që po shqyrton.
Telegram vazhdon të këmbëngulë që baza e tij e përdoruesve të mediave sociale mbetet shumë e vogël për të arritur pragun e BE-së.
Një “numër i konsiderueshëm i përdoruesve të Telegramit nuk i qasen kurrë” grupeve, tha kompania në një deklaratë të dërguar me e-mail.