Lajme
BE-ja mirëpret vendimin e Kosovës dhe Serbisë për targat
Demokracia
22:53 | 07 Janar 2024

Share:

Tashmë në kufijtë e Kosovës dhe Serbisë policët kufitar kanë më pak punë. Kjo pasi që ata nuk  po kontrollojnë më për stikera në targa.

Kjo pas vendimeve të dy qeverive për t’i lejuar automjetet me targat e nga Kosova e Serbia pa ngjitese.

Këto veprime i mirëpriti Bashkimi Evropian që është edhe negocues i këtij vendimi.

Shefi për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, Josep Borrell tha se ky veprim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit, si dhe në angazhimet e kaluara të Dialogut lidhur me Lirinë e Lëvizjes.

”Ky veprim tregon se është i mundur arritja e përparimit në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe thekson rëndësinë e vazhdimit të punës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky përbën gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit”, ka deklaruar Josep Borrell – BE.

Pos fillimit të zbatimit të disa prej marrëveshjeve nga viti 2011, nga analistët në vend po konsiderohet se me këtë vendim Serbia e njeh Kosovës de facto.

“Pranimi i këtyre dokumentave të Kosovës është pashmangshëm njohje de facto e shtetit të Kosovës për arsye se këto dokumenta e paraqesin ekzistencën e një shteti të ri dhe tani Serbia ndërmjet dokumenteve të pranuara e pranon që Kosova është shtet”, ka theksuar Fidan Ukaj – Analist.

Por, presidenti i Serbisë, një gjë të tillë e sheh si të pamundur, për cka ankohet se BE po bën presion që Serbia të njoh Kosovën.

“Cilat janë qëllimet kombëtare për ne? Përveç asaj që e dimë se nuk do ta njohim Kosovën e pavarur. Ne kurrë nuk do të pajtohemi për Kosovën. Nuk mund të gënjejmë veten se jemi dakord për atë çështje, sigurisht se nuk jemi. Sigurisht se një pjesë mendon ‘dorëzo Kosovën, do të jetojmë më mirë’, vetëm se ata nuk do ta thonë këtë, e të tjerët thonë ‘mbroje Kosovën’”, ka deklaruar Aleksandër Vuçiq – Presidenti i Serbisë.

Më 25 dhjetor, Qeveria e Serbisë vendosi të lejonte makinat me targa RKS të lëvizin lirshëm në territorin e shtetit të saj dhe vendimi nis së zbatuari më 1 janar të vitit 2024.

Ndërkaq, më 4 janar Qeveria e Kosovës vendosi që të heqë regjimin e letrave ngjitëse për makinat me targa të Serbisë.

Të ngjashme