Lajme
BE-ja miraton zyrtarisht nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në bllok
Demokracia
18:55 | 21 Qershor 2024

Share:

Vendet e BE-së kanë miratuar zyrtarisht nisjen e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë, një tjetër hap në rrugëtimin e gjatë të dy vendeve për t’u bashkuar me bllokun që përbëhet nga 27 vende.

Belgjika, e cila aktualisht mban presidencën e BE-së, ka njoftuar se vendet anëtare kanë rënë dakord për një kornizë negociuese.

“Kjo hap rrugën për nisjen e negociatave më 25 qershor në Luksemburg”, tha presidenca belge.

Bëhet e ditur se bisedimet do të nisin me dy konferenca ndërqeveritare, shkruan AP, përcjell Telegrafi.

Siç raportohet, pas një vlerësim pozitiv nga dega ekzekutive e BE-së, liderët evropianë kishin rënë dakord që negociatat për pranimin e dy vendeve të fillojnë.

Por, procesi i negociatave dhe anëtarësimi i Ukrainës dhe Moldavisë në BE, mund të zgjasë me vite.

Kjo pasi për t’u bërë pjesë e bllokut, vendet kandidate duhet të kalojnë nëpër një proces të gjatë për të përafruar ligjet dhe standardet e tyre me ato të bllokut, dhe për të treguar se institucionet e tyre përmbushin normat demokratike.

Ndryshe, Ukraina është një nga disa vendet që kanë dëshiruar prej kohësh të anëtarësohet në BE, duke e parë atë si një rrugë drejt pasurisë dhe stabilitetit.

Ndërsa BE-ja nuk është një aleancë ushtarake si NATO, anëtarësimi në bllok shihet nga disa si një degë kundër ndikimit rus.

Ukraina aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE më pak se një javë pasi Rusia e pushtoi atë në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë, Moldavia ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për kryerjen e një “lufte hibride” kundër vendit, duke u përzier në zgjedhjet lokale dhe duke zhvilluar fushata të mëdha dezinformuese në përpjekje për të rrëzuar qeverinë dhe për të prishur rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Të ngjashme