Lajme
BE-ja mes thirrjes për progres në dialog dhe parakushteve të Kosovës e Serbisë
Demokracia
12:56 | 02 Korrik 2024

Share:

Një cikël i ri i bisedimeve në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të jetë ngjarja kryesore e ditës së martë, ndërsa Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, synon të arrijë progres konkret në implementimin e marrëveshjeve nëpërmjet kompromisit të negociuar.

Në krye të agjendës së bisedimeve midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – do të jetë zbatimi urgjent i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve nga viti i kaluar. Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, deklaroi të hënën se palët kërkohet përmbushja e obligimeve pa parakushte.

“Në kuadër të dialogut, palët do të diskutojnë për rrugën përpara drejt zbatimit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, por edhe për zbatimin e marrëveshjeve të tjera. Ashtu sikurse kemi thënë vazhdimisht, të dyja palët pritet të zbatojnë të gjitha obligimet e tyre përkatëse të dialogut pa vonesa apo parakushte”, shtoi Stano në një konferencë për shtyp.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Një përpjekje e fundit e BE-së për të ringjallur dialogun dështoi javën e kaluar për shkak të mosgatishmërisë të të dy liderëve për t’u ulur në tryezën e negociatave. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, takoi veçmas kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por pavarësisht përpjekjeve diplomatike, nuk pati takim trepalësh.

Kryeministri Kurti paraqiti tre kushte që, sipas tij, duhen plotësuar nga Serbia si garanci se pala serbe do të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog, duke filluar nga dorëzimi i kreut të grupit paramilitar, Millan Radoiçiç, para organeve të drejtësisë në Kosovë, i cili, pavarësisht agresionit të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Kosova, ndërkohë, nuk ka pranuar që prioritet kryesor të jetë themelimi i një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, apo që zbatimi i marrëveshjes të nisë nga themelimi i këtij mekanizmi, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet që burojnë dialogu, kryesisht sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe integritetit territorial të Kosovës.

Duke folur për dështimin e takimit trelateral javën e kaluar, presidenti serb pretendoi: “Ata nuk duan dialog, duan njohje de jure përmes tre kushteve. Kjo nuk do të ndodhë. Kjo nuk është njohje de facto, kjo është njohje de jure, dhe kjo është ajo që ata kërkojnë, kjo është ajo që ata dëshirojnë”.

Në një përmbledhje të ngjarjeve dhe zhvillimeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përgjatë mandatit pesëvjeçar, shefi i diplomacisë evropiane konsideroi se për të ecur përpara, liderët duhet guxim e vizion: “Pas disa muajsh, njerëz të ndryshëm do të jenë në krye, por pritshmëritë e BE-së nuk do të ndryshojnë”.

Nga ana tjetër, emisari i BE-së për dialogun, në prag të takimit midis Bislimit e Petkoviçit, nënvizoi se synon t’i zbusë qëndrimet kontradiktorëve të palëve: “Megjithatë, puna jonë vazhdon për t’i përcaktuar hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”.

Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë edhe në javët në vijim, mbetet për t’u parë nëse “skenarët e dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohen, apo Kosova dhe Serbia do të fillojnë zbatimin paralel të marrëveshjeve në funksion të kauzës së paqes.

Të ngjashme