Lajme
BE-ja: ‘E pamëshirshmja’ Rusi mund të përballet me sanksione të reja
Demokracia
10:30 | 10 Shkurt 2021

Share:

Kryediplomati i Bashkimit Evropian paralajmëroi Moskën të martën se mund të përballet me sanksione të reja lidhur me burgimin e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, duke e përshkruar Qeverinë e Presidentit Vladimir Putin si “të pamëshirshme”, autoritare dhe të frikësuar nga demokracia, shkruan Reuters, transmeton Demokracia.com.

Josep Borrell tha se vizita e tij të premten e kaluar në Moskë kishte çimentuar pikëpamjen e tij se Rusia donte të shkëputej nga Evropa dhe ta ndante Perëndimin, në një fjalim që shënoi kritikat më të ashpra të BE-së ndaj Moskës që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

“Qeveria ruse po shkon në një rrugë shqetësuese autoritare”, tha Borrell, i cili bëri thirrje për lirimin e Navalnyt në Moskë dhe kërkoi, më kot, ta vizitonte atë në burg.

“Duket se pothuajse nuk ka vend për zhvillimin e alternativave demokratike…ata janë të pamëshirshëm në shtypjen e çdo përpjekjeje të tillë”, i tha ai Parlamentit Evropian, duke thënë se besonte se Kremlini e shihte demokracinë si një “kërcënim ekzistencial”.

Vërejtjet e Borrellit sugjeruan një forcim të qëndrimeve të BE-së ndaj Rusisë, një furnizues i madh energjie në Evropë, pas viteve të kërkimit të lidhjeve më të mira, pavarësisht sanksioneve perëndimore të vendosura në vitin 2014.

“Rusia kërkon të na ndajë”, tha Borrell.

Navalny u arrestua në janar pasi u kthye në Rusi për herë të parë qëkur u helmua gushtin e kaluar në Siberi me atë që shumë vende perëndimore thanë se ishte një agjent nervor. /Demokracia.com/

Të ngjashme