OpEd
BE-ja duhet të dëshmojë se është serioze në lidhje me zgjerimin
Demokracia
16:00 | 27 Dhjetor 2023

Share:

SHKRUAN: Luke Coffey

Dhjetori ka qenë një muaj historik për BE-në. Pas shumë muajsh diskutime, Këshilli i BE votoi pro dhënies së statusin të kandidatit për Gjeorgjinë dhe për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Ky vendim, shënon një pikë kthese sa i përket zgjerimit të mëtejshëm të bllokut.

Kur në vitin 1951 u themelua paraardhësi i BE-së, Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut kishte në përbërje vetëm 6 vende:Belgjikën, Francën, Gjermaninë, Italinë, Luksemburgun dhe Holandën. Gjatë 53 viteve që pasuan, iu shtuan vetëm 9 anëtarë të rinj në atë që u bë Komuniteti Ekonomik Evropian dhe më pas BE, duke e çuar totalin në 15.

Panorama ndryshoi në vitin 2004. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe shpërbërjes së Paktit të Varshavës në fillim të viteve 1990, BE-ja u fokusua tek perspektivat e zgjerimit në Evropën Qendrore dhe Lindore. Kjo nismë u realizua në vitin 2004, kur ndodhi zgjerimi i vetëm më i madh i unionit.

Në atë kohë BE-së iu bashkuan 10 vende të reja, duke përfshirë 7 që dikur ishin pjesë e Paktit të Varshavës ose e Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, që nga i ashtuquajturi zgjerimi “Big Bang” i vitit 2004, vetëm 3 vende të reja i janë bashkuar unionit:Rumania dhe Bullgaria në vitin 2007, dhe Kroacia në vitin 2013.

Britania e Madhe u largua zyrtarisht nga BE në janarin e vitit 2020 pas votimit pro Brexit në referendumin e vitit 2016. Sot numri i anëtarëve të saj është 27. Për shkak të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në shkurtin e vitit 2022, ka lindur një shtysë gjeopolitike e re për zgjerimin e BE-së në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Në verën e vitit të kaluar, vetëm disa muaj pas pushtimit, Ukrainës dhe Moldavisë iu dha statusi i kandidatit për në BE. Këtë muaj, të dyja këto vende nisën bisedimet e pranimit për t’u bashkuar zyrtarisht me bllokun. Ndërkohë, statusi i kandidates iu dha Gjeorgjisë, një vend që ka qenë prej kohësh i përkushtuar ndaj integrimit euro-atlantik, por që vitet e fundit ka përjetuar një kthim prapa në standartet demokratike, duke e shqetësuar shumë Brukselin.

Megjithatë, përpara se të kremtohet kjo arritje, çuarja e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë në vijën e finishit të këtij rrugëtimi dhe në BE, nuk do të jetë një detyrë aspak e lehtë. Dhe kjo sepse Kievi, Kishinau dhe Tbilisi nuk do të jenë në gjendje, ose do të ecin shumë ngadalë kryerjen e reformave të nevojshme për t’iu bashkuar blokut.

Përkundrazi, pengesat më të mëdha ka të ngjarë të shfaqen në Bruksel, dhe në mesin e disa anëtarëve të BE-së në Evropën Perëndimore, teksa ata përballen me reformat institucionale që janë të nevojshme përpara hyrjes së anëtarëve të rinj. Në këtë aspekt, 4 janë çështjet me shqetësuese.

Së pari, duke qenë se votimi në Këshillin e BE-së bazohet, të paktën pjesërisht, tek një formulë që përfshin popullsinë e çdo shteti anëtar, disa vende në Evropën Perëndimore e humbasin ndikimin nëse anëtarësohen vende më të mëdha se ato vetë.

Për shembull pas anëtarësimit, Ukraina do të bëhej anëtarja e pestë më popullsinë më të madhe, e ndjekur nga Polonia dhe Rumania. Kjo do ta bënte më me ndikim Evropën Qendrore dhe Lindore në vendimmarrjen e BE-së, dhe ka të ngjatë të shqetësojë shumë Parisin dhe Berlinin.

Së dyti, është problemi i rishpërndarjes së vendeve në Parlamentin Evropian nëse shtohen anëtarë të rinj. Aktualisht, ky organ ka gjithsej 705 vende. Ato shpërndahen në bazë të popullsisë, ku numri maksimal i vendeve për çdo anëtar të BE-së është 96 ndërsa minimumi 6. Nëse anëtarësohet një anëtar i ri anëtar, vendet duhet të rishpërndahen.

Kjo do të thotë se anëtarët aktualë do të humbasin disa vende, sidomos duke pasur parasysh popullsinë relativisht më të madhe të Ukrainës. Për shtetet më të vogla të BE-së, kjo nuk do të sjellë shumë ndryshime. Megjithatë, shtetet më të mëdha në Evropën Perëndimore do të humbasin peshën e tyre për shkak të pakësimit të votave.

Së treti, përpara se të anëtarësohet Ukraina në union, duhet të reformohet Politika e Përbashkët Bujqësore (CAP) e BE-së. Edhe kjo nuk do të jetë një detyrë e lehtë. CAP u prezantua për herë të parë në vitin 1962 për të lehtësuar një sistem kompleks të subvencioneve bujqësore, dhe për të zbatuar politika të unifikuara bujqësore në të gjithë unionin.

Ajo është jashtëzakonisht e kushtueshme, dhe sot zë rreth 1/3 të gjithë buxhetit të BE-së. Sasia e subvencioneve bujqësore të marra nga shtetet anëtare, lidhet me madhësinë e tokave bujqësore. Duke pasur parasysh se Ukraina ka një të katërtën e totalit të tokës bujqësore të Evropës, miliarda euro subvencione do të zhvendoseshin drejt lindjes dhe larg vendeve të Evropës Perëndimore si Franca dhe Spanja.

Reformimi i CAP, është tashmë një nga çështjet më të diskutueshme brenda BE-së. Duke iu bashkuar BE-së një vend i madh bujqësor si Ukraina, reformimi i Politikës së Përbashkët Bujqësore do të ishte edhe më i vështirë.

Së fundi, përpara se të anëtarësohen në BE Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, duhet të zgjidhet një çështje e rëndësishme gjeopolitike. Të tria vendet kanë trupa ruse në territorin e tyre, të paftuara nga qeveritë përkatëse. Po ashtu, dihet mirë që edhe BE-ja e ka një klauzolë të mbrojtjes reciproke (neni 42.7 i Traktatit për Bashkimin Evropian), e cila është e ngjashme me garancinë e sigurisë të nenit 5 të NATO-s.

Klauzola e mbrojtjes e NATO-s, është pengesa kryesore kur diskutohet mbi anëtarësimin në aleancë të vendeve si Ukraina dhe Gjeorgjia. Në kushtet kur trupat ruse kanë pushtuar një pjesë të territorit në këto vende, anëtarët e NATO-s janë të shqetësuar se hyrja e tyre në aleancë, do të shkaktonte një luftë automatike me Moskën.

Në teori, e njëjta gjë mund të jetë e vërtetë në lidhje me nenin 42.7 të BE-së. Megjithatë nuk ka pasur ende një debat publik se si do të trajtohet kjo çështje. Megjithatë, ndërsa këto tre vende i afrohen vijës së finishit në procesin e hyrjes në BE, është e sigurt se kjo do të bëhet një çështje shumë e diskutueshme.

Tani për tani, në BE ekziston një lloj euforie e kuptueshme mbi perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Megjithatë, ndërsa Kievi, Kishinau dhe Tbilisi po bëjnë përparim në reformat e vështira por të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së, Brukseli ka ndërkohë detyrimin të kryejë reformat e nevojshme institucionale.

Do të ishte tragjike nëse Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia do t’i nënshtroheshin me sukses reformave politike dhe ekonomike të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së, dhe në një moment procesi të ngecë sërish për shkak të shqetësimeve në vendet e  Evropës Perëndimore për ndarjen e vendeve në Parlamentin Evropian, peshën e votës në Këshillin Evropian apo subvencionet në bujqësi.

Edhe sfidat rreth nenit 42.7 të BE-së nuk janë të pakapërcyeshme, nëse Brukseli do të ketë lidershipin dhe kreativitetin e duhur. Nëse Bashkimi Evropian është vërtet serioz në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, ai duhet të fillojë që tani reformat e nevojshme, përpara se të jetë tepër vonë.

Burimi: “Eurasia Riview”/Përshtati Gazeta S

Të ngjashme