Lajme
BE-ja dhe UNICEF-i ndihmojnë Kosovën me pajisje të IT-së
Demokracia
14:04 | 08 Gusht 2022

Share:

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe shefja e UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, u kanë dorëzuar sot në Prishtinë 230 pajisje tabletë punëtorëve socialë të 40 qendrave për Punë Sociale që veprojnë në Kosovë.

Furnizimi me këto pajisje të IT-së është një nga aktivitetet e projektit të financuar nga BE-ja dhe të zbatuar nga UNICEF-i me vlerë 5 milionë euro, gjë që po ndihmon në zvogëlimin e ndikimit të  pandemisë COVID-19 në jetën e fëmijëve dhe familjeve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.

Këta tabletë do t’u mundësojnë punëtorëve socialë të ofrojnë përgjigje më të mira dhe më të shpejta ndaj nevojave të fëmijëve dhe prindërve të tyre, duke përfshirë edhe komunikimin në internet, si dhe mësimnxënien praktike në punë.

“Punëtorët socialë janë shpesh pika e parë e kontaktit për anëtarët më të cenuar të shoqërisë dhe luajnë një rol kyç për të siguruar që atyre t’u ofrohet mbrojtja e duhur. Prandaj, është e rëndësishme që t’i kenë kapacitetet e nevojshme teknike për të reaguar me efektivitet për secilin rast”, tha Szunyog.

Sipas tij, furnizimi i sotëm me pajisje të IT-së shërben si një mbështetje e mëtejshme e digjitalizimit të administratës publike në Kosovë dhe do t’i ndihmojë punëtorët socialë të kenë qasje në platformat online të zhvilluara me ndihmën e BE-së për mbështetje teknike dhe menaxhim të rasteve.

Tutje ai premtoi se BE-ja, së bashku me partnerët e saj, do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet institucionale të Kosovës për të ofruar mirëqenie të barabartë dhe adekuate, duke mos lënë askënd anash.

Projekti rajonal, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga UNICEF-i, synon për ta forcuar sistemin shëndetësor, arsimor dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe për të ndihmuar në ofrimin e shërbimeve kritike për fëmijët dhe familjet e tyre gjatë periudhës së emergjencës dhe rimëkëmbjes nga pandemia. Projekti, gjithashtu, ndihmon në adresimin e rrezikut në rritje të shfrytëzimit dhe dhunës ndaj fëmijëve si rezultat i pandemisë.

Së bashku me furnizimin me tableta, projekti në Kosovë përfshin gjithashtu zhvillimin e një programi trajnimi mbi ofrimin e mbështetjes lidhur me shëndetin mendor dhe mbështetje psikosociale, si dhe krijimin e një platforme mësimore online për zhvillimin e vazhdueshëm profesional të fuqisë punëtore në fushën e shërbimeve sociale.

“Fuqia punëtore në fushën e shërbimeve sociale luan një rol kryesor në mbështetjen e fëmijëve dhe familjeve duke identifikuar dhe menaxhuar rastet e fëmijëve në rrezik dhe duke lehtësuar qasjen në një sërë shërbimesh sociale për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve dhe familjes”, tha Zicherman.

Më tej ajo theksoi se një fuqi punëtore e mbështetur mirë, e pajisur siç duhet dhe e mbrojtur në fushën e shërbimeve sociale është thelbësore për zbutjen e efekteve negative të pandemisë COVID-19.

BE-ja e mbështeti Kosovën gjatë krizës mjekësore dhe rimëkëmbjes socio-ekonomike pas pandemisë me një total prej 168 milionë eurosh.

UNICEF-i në Kosovë vazhdon të punojë ngushtë me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në forcimin e kapaciteteve të fuqisë punëtore në fushën e shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore për fëmijët dhe familjet në nevojë. /Rtk

Të ngjashme
Lajme • 29 Mars 2024