Lajme
BE “e lodhur” me pyetjet për dialogun: E shterëm këtë temë qëmoti, marrëveshjet janë ligjërisht të obligueshme
Demokracia
13:44 | 09 Janar 2024

Share:

Temë “të shteruar” e quajti Bashkimi Evropian pyetjen e stërshtruar të Marrëveshjes Bazike për normalizim të marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, se a është apo nuk është ligjërisht e detyrueshme, kjo duke qenë se është Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ende s’i zë besë mjaftueshëm legalitetit të saj duke u shprehur se vetëm “firmosja” e përkthen atë në ligjërisht e ndërkombëtarisht të detyrueshme.

BE e dha për punë të kryer; se kjo marrëveshje, “Po”, është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obligative për palët mbi bazën e pranimit verbal dhe se kjo çështje nuk ka ndrzshuar.

Madje, zëdhënës të Bashkimit Evropian çuan duart në padurim ndaj pyetjeve të vazhdueshme rreth kësaj; duke ua rikujtuar qëndrimet e ngurta të BE-së rreth kësaj.

Çka? kështu, zëdhënësit e institucioneve të Bashkimit Evropian sot mbajtën konferencën e rregullt ditore. Natyrisht, gazetarë të huaj dhe vendorë patën pyetje sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Një prej pyetjeve konkrete që iu shtrua zëdhënësit Peter Stano, ishte ajo nëse marrëveshja e arritur para një viti është ligjërisht e obligueshme, kjo pasi nuk ka pasur nënshkrim të saj.

“…e kemi diskutuar për javë e muaj, palët janë përkushtuar për zbatim. Ne konsiderojmë që ky përkushtim është ligjërisht i obligueshëm, ky përkushtim është treguar edhe përmes deklarimit të Përfaqësuesit të Lartë, kur edhe u publikua Marrëveshja.” – tha ai.

Stano tutje deklaroi se nga palëet pritet zbatim i marrëveshjes gjatë këtij viti, dhe se nuk ka nevojë të diskutohen më “formalitetet”.

“Të gjithë e dinë ku qëndrojmë, të gjithë e dimë se çka duhet të bëjnë, dhe ne presim zbatim këtë vit, është një mundësi për të qëndruar, për të vazhduar punën, jo për të diskutuar formalitete, por për të diskutuar.” – u shpreh ai.

“…e kemi shteruar”

Stano e mbaroi fjalën, por një deklaratë nga podiumi i sallës ku po mbahej konferenca e dha kryezëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

Ai iu drejtua gazetarëve, duke u thënë se disa herë është pyetur për “marrëveshjen ligjërisht të obligueshme”, temë që sipas tij, është shteruar.

“Mendoj që e kemi shteruar këtë temë për natyrën e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme. Kjo pyetje është bërë nuk e di sa herë në këtë sallë, e kuptoj pse po e bëni këtë pyetje, por mendoj që Peter e ka treguar pozicionin tonë, bazuar në kuptimin tonë të situatës, kështu ju lutem të përmbahemi duke diskutuar sërish për këtë çështje, kur dihet qartë se cili është pozicioni që do të shprehet nga ne.” – u shpreh ai.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian si ndërmjetësuesi i dialogut, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si ndihmëse të bllokut, e kanë bërë të qartë kërkesën e tyre ndaj Kosovës.

Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti po i kërkohet që të fillojë hapat konkretë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

“Në vitin 2024, shpresojmë të shohim përparim të njëmendtë, duke përfshirë Serbinë qe ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshjeje, si dhe Kosovën që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj, përfshirë që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.” – kështu deklaroi ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në mesazhin e tij të fundvitit.

Një deklaratë pak a shumë të ngjashme, para pak ditësh, e dha edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Të ngjashme