I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se drafti i paraqitur nga ekipi menaxhues është pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme. Por, emisarit evropian i është kundërpërgjigjur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Kryeparlamentari ka thënë se pikënisja për themelimin e Asociacionit duhet të jetë brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës, në të kundërtën sipas tij, nuk ka logjikë dialogu.
Pikënisje të mirë për diskutimet e ardhshme, e ka vlerësuar i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, draft-statutin e Asociacionit të prezantuar nga ekipi menaxhues.
Në një takim me diplomaten zvicerane, Livia Leu, emisari evropian e ka vlerësuar lartë edhe takimin e fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, para së cilëve edhe është prezantuar ky draft-statut.
“Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi menaxhues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve.”, tha Lajçak.
Lajçak ka thënë se është i kënaqur që palët janë dakorduar që të punojnë bashkë për zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke shtuar se pret që të bëhet përparim në këtë temë.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i është kundërpërgjigjur Lajçakut, se kurrfarë pozicioni antikushtetues nuk mund të jetë bazë për negociata.
Sipas tij, pikënisja për themelimin e Asociacionit duhet të jetë brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës, në të kundërtën sipas tij, nuk ka logjikë dialogu.
Këto komente, Konjuca i ka bërë pas takimit me homologun e tij austriak, Wolfgang Sobotka.
Ky i fundit ka thënë se marrëveshja e Ohrit është shumë e rëndësishme dhe se dy palët duhet ta zbatojnë atë, teksa ka përmendur modelin e Tirolit Jugor, si një opsion të mirë.
“Nuk mendoj se marrëveshja po zbehet, por në politikën ndërkombëtare duhet të kemi pak më shumë kohë. Ajo nuk bëhet çdo herë në hapësirat publike. Duhet të ketë dialog me besim të dyanshëm. Nëse e marrim shembullin e Triolit të Jugut, i cili ka treguar se si edhe këtu përmes rrugës së dialogut mund të arrihet një rezultat i mirë. Këtë mund të vlejë edhe për komunat të cilat janë të banuara nga serbët.”, deklaroi Wolfgang Sobotka – Kryetar i Parlamentit të Austrisë.
Ndryshe, një ditë pas takimit të 2 majit në Bruksel, Qeveria e Kosovës e ka shkarkuar ekipin menaxhues për hartimin e draftit për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një veprim i tillë është bërë për shkak se drafti i parë i prezantuar është cilësuar si i papranueshëm për Kosovën.