Një muaj pas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, asgjë nuk ka ndryshuar.
Siç raporton BBC, edhe pse liderët e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ranë dakord që gjithçka të jetë në shërbim të qytetarëve, mosmarrëveshjet politike vazhdojnë të formësojnë jetën e përditshme, përcjell Demokracia.com.
Status quo-ja është reflektuar edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës, të cilat janë kryesisht të banuara me serbë, në të cilat pothuajse nuk do të ketë përfaqësues të komunitetit serb.
“Shqiptarët, boshnjakët, goranët dhe pakicat tjera do të votojnë në zgjedhje, por me gjasë nuk do të ketë serb që do të shkojnë në qendrat e votimit”.
“Kjo do të thotë se këto do të jenë vetëm zgjedhje legale, por jo legjitime”, tha për BBC-në në edicionin serb Nexhmedin Spahiu, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kritikoi Listën Serbe për bojkotimin e zgjedhjeve dhe u bëri thirrje serbëve në veri që të marrin pjesë në zgjedhje sa më shumë që të jetë e mundur, duke theksuar se atje nevojitet “legjitimiteti demokratik dhe funksionimi i institucioneve”.
Dy ditë para zgjedhjeve, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha në një paraqitje televizive se votimi do të ishte “turpi më i madh për demokracinë me një pjesëmarrje prej dy deri në tre përqind” dhe akuzoi vendet perëndimore se “dëshirojnë të thyejnë Serbinë”.
Derisa Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve kritikojnë ashpër vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve, BBC shkruan se diplomatët amerikanë po dërgojnë mesazhe të përziera.
Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm për Ballkanin, tha se SHBA do të njihte rezultatet e zgjedhjeve pavarësisht nga bojkoti serb, por ambasadori i SHBA Christopher Hill tha se SHBA dhe shumë vende të tjera besonin se nuk ishte koha e duhur për zgjedhje.
Përfaqësuesit politikë të serbëve u kritikuan edhe nga disa zyrtarë evropianë për shkak të bojkotit. /Demokracia.com/