Lajme
Baza bërthamore amerikane e fshehur nën akullin e Groenlandës
Demokracia
23:35 | 14 Maj 2025

Share:

Kampi i rizbuluar zbulon shkallën e përfshirjes së gjatë të Washington-it në ishullin Arktik.

Ndërsa fluturonin mbi Rrethin Arktik pranverën e kaluar, një ekip shkencëtarësh të NASA-s që testonin një sistem të ri radari mbi Groenlandën veriore zbuluan diçka të pazakontë.

Thellë në shtresën e akullit, ndodhej një grumbull vendbanimesh të lidhura nga një rrjet tunelesh, si një qytetërim i ngrirë në kohë.

“Është si të fluturosh mbi një planet tjetër, dhe është e vështirë të imagjinohet që dikush ose diçka të jetë ndonjëherë në gjendje të mbijetojë atje”, tha shkencëtari i NASA-s Chad Greene, i cili ishte në avion.

Ajo që shkencëtarët panë në ekranet e tyre nuk ishte një qytetërim i humbur, por mbetje të një baze ushtarake amerikane të ndërtuar nën akull gjatë Luftës së Ftohtë.

Baza ishte pjesë e një plani ambicioz dhe klandestin të Pentagon-it, i njohur si Project Iceworm, për të ndërtuar një rrjet vendesh lëshimi raketash bërthamore nën akullin Arktik.

Vendndodhja nëntokësore, e cila ishte projektuar për të ruajtur 600 raketa balistike me rreze të mesme veprimi, zbulon shkallën e përfshirjes së SHBA-ve në Groenlandë që daton më shumë se gjysmë shekulli.

Kampi Century, siç quhej posti i parë, u ndërtua pjesërisht në vitin 1959 dhe u braktis në vitin 1967.

Kjo, pasi shtresa e akullit u konsiderua shumë e paqëndrueshme për të mbështetur rrjetin e propozuar të lëshimit të raketave.

Me kalimin e viteve, akulli u grumbullua dhe objekti tani është varrosur nën të paktën 100 metra akull.

Kampi ishte i njohur për disa para fluturimit të fundit të NASA-s si një objekt kërkimor i dukshëm, por qëllimi i tij i vërtetë ushtarak ishte i klasifikuar deri në vitin 1996.

Greene dhe kolegët e tij kapën fotografinë e parë të plotë të kampit në tërësinë e tij në dhjetor.

Më shumë sesa një relike e marrëzisë së Luftës së Ftohtë, Kampi Century është një kujtesë e pranisë së gjatë të SHBA-ve në territorin danez të Groenlandës, një pozicion që ndonjëherë ka qenë i diskutueshëm.

Historikisht, për të ruajtur sovranitetin mbi Groenlandën, Danimarkës i është dashur t’i lëshojë një pjesë të territorit SHBA-ve.

SHBA-të tashmë kanë të drejtë të krijojnë baza në Groenlandë nëse dëshirojnë ta bëjnë këtë, sipas një traktati të vitit 1951 me Danimarkën që i mundësoi asaj të ndërtonte Kampin Century, diçka që politikanët danezë ia kanë kujtuar publikisht Washington-it në javët e fundit.

Në një moment gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA-të mbanin 17 baza në Groenlandë, përfshirë Kampin Century, dhe mbanin rreth 10 mijë trupa atje.

Aktualisht, numri i forcave është zvogëluar në më pak se 200 në një bazë, Bazën Hapësinore Pituffik, e njohur më parë si Baza Ajrore Thule.

Prania e armëve bërthamore amerikane historikisht ka qenë një burim fërkimesh me Danimarkën.

Marrë dhe përshtatur nga Wall Street Journal për Albanian Post

Të ngjashme