Llapi ka shënuar fitore në kuadër të javës së 14-të në Superligë kundër Ballkanit.
Llapjanët fituan thellë 4-1 ndaj “portokallezinjve” në stadiumin e Merdarës, shkruan Demokracia.com.
Pas ndeshjes, kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina vlerësoi skuadrën e Ballkanit, ndërsa tregon se çka iu tha lojtarëve të tij në pushim mes pjesëve.
“Nuk ka qenë ndeshje e lehtë. E dimë që kemi luajtur ndaj një skuadre e cila ishte në pozitën e parë dhe duhet të jeni të kujdesshëm ndaj një kundërshtari të fortë. Në pjesën e parë nuk luajtëm kënaqshëm, loja nuk ishte e rrjedhshme. Në pjesën e dytë ju kam thënë lojtarëve se duhet të ndryshojmë nëse duam të fitojmë”, tha Batatina për Art Sport.
Batatina tha se zëvendësimet e qëlluara e ndryshuan lojën dhe rezultatin në të mirë të skuadrës së tij.
“Në momentin e pranimit të golit ndryshova skemën duke bërë zëvendësimet e qëlluara. Trajneri nuk është për të mbajtur vetëm stërvitje, kështu e kam përgatitur ndeshjen dhe në fund erdhi rezultati. Nuk jemi zmbrapsur, kemi vazhduar të sulmojmë deri në fund dhe ia arritëm objektivit”, shtoi trajneri llapjan.
Ballkani bie në vendin e tretë me 24 pikë, ndërsa Llapi ngritet në pozitën e katërt me 21 pikë. /Demokracia.com