Sport
Batatina pret përballje të vështirë përballë Trepçës ’89, zbulon se dy yjet e skuadrës janë të gatshëm për lojë
Demokracia
15:04 | 15 Mars 2021

Share:

Trepça ’89 – Llapi është njëra prej ndeshjeve më interesante që do të zhvillohen në mesjavë në kuadër të Kupës së Kosovës në futboll.

Në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, të enjten, skuadra mitrovicase është nikoqire e Llapit në kuadër të fazës çerekfinale, raporton Demokracia.com.

Padyshim, kjo ndeshje ka rëndësi të madhe për të dyja skuadrat, pasi e shohin kupën si “rrugë” për të dalë në garat evropiane.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina në një bisedë me Demokracia.com ka thënë se pret një ndeshje të vështirë në Mitrovicë.

“Presim një ndeshje të vështirë pasi Trepça ’89 ka skuadër të mirë dhe si vendas janë favoritë”, ka thënë fillimisht Tahir Batatina duke vazhduar:

“Jemi të kompletuar gjithë skuadra, po punojmë maksimalisht dhe e dimë se duhet derdhur shumë djersë por e dimë se Trepça ’89 ka një skuadër të mirë dhe bën lojë të mirë”.

Me angazhim dhe përkushtim, Batatina është i bindur se do t’ia dalin.

“Me angazhim të madh duam të kalojmë tutje, si vendas 89-shi ka fituar ndeshjet ndaj skuadrave të mëdha, andaj nuk do të jetë e lehtë”, tregoi ai.

Për fund, trajneri llapjan bëri me dije se skuadra e tij do të jetë e kompletuar dhe se dyshja e skuadrës, Ahmed Januzi dhe Mentor Zhdrella do të jenë në dispozicion të tij për ndeshjen.

“Nuk kemi asnjë mungesë, Januzi është rikthyer dhe Zhdrella pritet të rikthehet. Por, le ta shohim se si do të rrjedhin gjërat më tej”, përfundoi të hënën Tahir Batatina. /Demokracia.com

Të ngjashme