Lajme
“Bashkimi Kombëtar” – Asnjë lider kosovar nuk e uron Ramën për fitoren në zgjedhje
Demokracia
18:25 | 27 Prill 2021

Share:

Tashmë Shqipëria ka arritur në përfundim të numërimit të kutive të fundit, nga zgjedhjet parlamentare dhe del se partia e Edi Ramës, kryeministrit aktual shqiptar, Partia Socialiste e Shqipërisë, ka dalë fituese në shumicën e qarqeve.

Por, pyetja që ende nuk ka marrë përgjigje, është se pse asnjë lider institucional e politik në Kosovë nuk e urojë Ramën për fitoren e zgjedhjeve?

Edhe pse liderët institucionalë e politikë në Kosovë shpesh e thirrën Edi Ramën “vëlla”, sot, deri më tash askush nuk ia urojë atij fitoren bindëse në zgjedhjet parlamentare, që u mbajtën të dielën, raporton Demokracia.com.

Partia Socialiste, sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror Zgjedhor në Shqipëri del se ka marrë 74 mandate/ulëse në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Pas e lë Partinë Demokratike me 59 mandate/ulëse, LSI – 4 ulëse dhe PSD – 3.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama, asnjëherë nuk ka hezituar t’i urojë kolegët e tij matanë kufirit për fitoret që kanë korrur ndër vite në shumë palë zgjedhje.

Lidhur me këtë, Demokracia.com ka kërkuar një qëndrim nga njohësi i çështjeve politike, Visar Ymeri, i cili nuk e parasheh problem nëse nuk urohet deri në zyrtarizimin e rezultateve.

“Nuk është as e pazakontë e as e dëmshme që të pritet përfundimi i numërimit të fletvotimeve dhe zyrtarizimi i rezultateve. Në këtë drejtim mendoj që nuk mund t’i kritikojmë për vonesë në urim. Por nëse krerët institucional nuk e urojnë fare z. Edi Rama për fitoren e PS në zgjedhjet e së dielës në Shqipëri atëherë mendoj që kjo paraqet problem. E veçanërisht për Kryeministrin e Kosovës i cili duhet të ndërtojë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi me Kryeministrin e Shqipërisë”, ka thënë ai.

Megjithatë, Ymeri shton se injorimi i fitores së cilësdo prej partive në Shqipëri, është shpërfillje e vullnetit të popullit shqiptar.

“Këta dy tash, të tjerët më herët, edhe mund të kenë mospajtime për politikat e njëri tjetrit, edhe mund të kenë preference tjera politike anasjelltas. Por injorimi i fitores së cilësdo prej partive në Shqipëri nga krerët institucional në Kosovë është shpërfillje e vullnetit të popullit të Shqipërisë të shprehur përmes votës së lirë. Kemi pasur raste në të kaluarën kur marrëdhëniet Prishtinë-Tiranë janë ndikuar prej tekeve personale e inateve primitive të individëve në pozita publike. Sa herë që kjo ka ndodhur i ka cunguar mundësitë e reja që krijon bashkëpunimi mes dy vendeve. Në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që ky avaz të vazhdojë, e as të na përsëriten raste të tilla”, ka thënë ai.

Ndërkohë, në Shqipëri tani më është përmbyllur procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e 25 shkurtit.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve mund t’i mësoni duke klikuar në linkun më poshtë./Demokracia.com/

Të ngjashme