Bashkësia Islame e Kosovës e ka konfirmuar se një pjesë e ligjëratës së “xhumasë” iu kushtua vrasjes së eprorit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.
Klankosova.tv ka raportuar për këtë çështje sot gjatë ditës. BIK pohon se kjo u bë me rekomandim të kryetarit të kryesisë, myftiut Naim Tërnava.
BIK në këto ligjërata pohon se ka dënuar fuqishëm aktin i vrasjes së ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh eprorit të Policisë së Kosovës, “duke bërë apel institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që sa më parë të zbardhen rrethanat e vrasjes, si dhe kryesit e këtij krimi të marrin dënimin e merituar”.
“Vrasja e eprorit të Policisë së Kosovës, njëherësh ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamed Lika, ishte një akt tronditës dhe thellësisht i dënueshëm, i cili ka goditur jo vetëm rendin dhe sigurinë publike, por edhe vetë shtyllën morale të shoqërisë dhe vendit tonë”, thuhet në njoftim.
BIK deklaron se ajo çfarë e bën edhe më të rrezikshëm vrasjen e Likës, është përpjekja për ta justifikuar atë përmes narracionit fetar, që sipas BIK, është metodë e njohur dhe e përdorur në mënyrë të përsëritur nga grupe të ndryshme kriminale, kudo në botë.
“Disa e shfrytëzojnë dhe e keqpërdorin flamurin kombëtar, të tjerë maskohen pas parimeve fetare, humanitare, apo idealeve ‘të larta’, duke e keqpërdorur ndjenjën kolektive për t’i legjitimuar mizoritë dhe veprimet e tyre të papranueshme dhe të dënueshme kriminale”.
“Krimi nuk njeh ideal. Ai nuk ka fe, komb dhe as parim. Njerëzit e tillë kriminelë përdorin maska të shumta. Andaj, është detyrë e gjithë neve – në radhë të parë e institucioneve, shoqërisë civile dhe e gjithë qytetarëve që t’i demaskojmë këta njerëz dhe të mos lejojmë që plagët e shoqërisë të shfrytëzohen nga at që synojnë destabilizimin dhe dëmtimin tonë dhe të vendit tonë”. /Klankosova.tv