Lajme
Bashkëpunimi i Dick Martyt me shërbimin sekret serb i bëhet problem pas një dekade
Demokracia
11:40 | 10 Prill 2022

Share:

Serbia sot dëshiron ta vrasë Dick Martyn, por dikur diplomati serb lavdërohej se e kishte bindur atë që ta shkruante raportin që e dëmtoi imazhin e Kosovës jashtëzakonisht shumë nëpër botë.

Madje, sot edhe ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim në Hagë, pasi që bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar që të themelohej Gjykata Speciale, e cila do të merrej me pretendimet e raportit të Dick Martyt, shkruan Demokracia.com.

Diplomati serb, Milan Protiq, jo shumë kohë më parë ishte lavdëruar duke thënë se ishte personi kyç që ndikoi në formimin e Gjykatës Speciale. Ai kishte deklaruar se e kishte bindur prokurorin zviceran, Dick Marty, që të shkruante raportin për krimet e pretenduara të shqiptarëve.

Këto deklarata, Protiq i kishte bërë gjatë një emisioni në Tv Happy në Serbi, ku kishte treguar edhe prapaskenat e përgatitjes së këtij raporti.

Protiq kishte pretenduar se për rreth 1 vit e gjysmë kishte bërë përpjekje që ta takonte Martyn dhe t’ia dorëzonte raportin e Prokurorisë Serbe për Krime Lufte.

Në këtë emision, ai kishte konfirmuar se raporti i Dick Martyt për pretendimet e krimeve të kryera nga shqiptarët ishte i mbështetur plotësisht në raportin 1000 faqesh të Prokurorisë Serbe, përcjell Demokracia.com.

Megjithatë, serbët tek të cilët Dick Marty u mbështet kaq shumë, sot janë duke i shkaktuar probleme mjaft të mëdha atij.

Gjatë së shtunës, emisioni “Mise au Point” i televizionit zviceran RTS, publikoi një hulumtim për Dick Martyn, ku u raportua që ish-prokurori i njohur zviceran është nën rrezikun e një plani për t’u vrarë nga inteligjenca serbe, që e gjitha kjo t’i vishej kosovarëve me të vetmin qëllim, diskreditimin e Kosovës.

Për pasojë, sipas televizionit publik zviceran, ka 16 muaj që ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është duke u mbrojtur nga forcat zvicerane, pasi që ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb, përcjell Demokracia.com.

E përditshmja zvicerane “Tagesanzeiger” ka raportuar se Këshilli Federal ka mobilizuar edhe ushtarët elitë për të mbrojtur Dick Martyn, pasi që rreziku për jetën e tij është shumë i madh.

Lidhur me këtë situatë, tani ka folur edhe Marty, i cili dikur serbëve u besoi mjaft shumë.

“Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e botës së krimit. Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”, ka thënë Dick Marty./Demokracia.com/

Deklaratën e Dick Marty mund ta ndiqni duke klikuar KËTU.

Të ngjashme