Lajme
Barrikadat në veri, dita e 16-të e tyre
Demokracia
21:46 | 25 Dhjetor 2022

Share:

Sot shënohet dita e 16 prejse u vendosën barrikadat serbe në disa lokacione në veri të vendit, barrikada këto që “detyruan” autoritetet t’i mbyllin dy pikat kufitare, ato në Jarinjë e Bërnjakë.

Shumëçka ka ndodhur për këto pak më tepër se dy javë, ani pse ajo kryesorja mungon: largimi i barrikadave. Institucionet kosovare janë në pritje të KFOR-it për t’i hequr të njëjtat, duke lëshuar më pas edhe “ultimatume” për misionin paqeruajtës, kjo nga disa deputetë të pushtetit.

Në anën tjetër, një pjesë e vogël e ndërkombëtarëve kanë bërë thirrje që të njëjtat të hiqen me dialog, për dallim prej shumicës absolute, që u kanë bërë thirrje atyre që i vendosën, t’i largojnë sa më shpejt, sepse kështu vuajnë banorët e asaj zone.

Jo vetëm kaq, ambasadori gjerman Jorn Rohde ka hedhur kritika edhe ndaj Beogradit zyrtar, ndërsa ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të fillojë edhe dialogun me serbët lokalë, për integrimin e këtyre të fundit, sepse sipas tij, vetëm në atë mënyrë “distancohen” serbët e Kosovës nga strukturat e dirigjuara.

Në shenjë proteste ndaj politikës joparimore të Evropës, mërgimtari Brahim Shabani ka marrë një iniciativë interesante.

Bashkë me fëmijët e tij, ai ka bllokuar rrugën në afërsi të një ure që lidh Francën e Gjermaninë.

“EU dhe ShBA, hapni rrugët në dhe për Kosovën”, thuhej në njërin prej banerëve që e kishte mbajtur mbi, Shabani.

“Veriu afatgjatë”

Në anën tjetër, Profesori amerikan në universitetin e New York-ut, Alon Ben-Meir ka thënë se nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja nuk angazhohen për zgjidhje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë, veriu do të jetë vazhdimisht problem.

Sipas tij, barrikadat momentalisht janë vazhdimësi e problemeve të mëparshme si targat dhe largimi prej institucioneve, shkruan Nacionale.

“Konflikti parësor mes Kosovës dhe Serbisë momentalisht është statuti i Bashkësisë së Komunave Veriore Serbe në veri të vendit”, duke shtuar më pas se i njëjti problem do të jetë pikëndezje edhe për muajt e ardhshëm.

“ShBA dhe BE duhet të angazhohen maksimalisht për zgjidhje përfundimtare”, shtoi tutje ai përmes rrjetit social “Facebook”.

Zëvendësimi

Policia e Kosovës kishte bërë kërkesë formale te EULEX-i që të zëvendësoheshin policët e bllokuar për dy javë në veri të vendit. Kështu ka informuar së fundi pikërisht misioni i BE-së për sundim të ligjit.

Me lehtësim të madh u prit dje lajmi se policët që kishin qendruar në veri të vendit ishin zëvendësuar nga ana e kolegëve të tyre, pasi kishin qëndruar për 14 ditë të bllokuar.

Por, e gjithë kjo del se ka ndodhur me ndihmën e EULEX-it, të cilit madje edhe i është bërë kërkesë zyrtare për një gjë të tillë.

“Pas një kërkese formale të Policisë së Kosovës, më 24 dhjetor, EULEX-i shoqëroi një kolonë të policëve të rregullt të Policisë së Kosovës, të cilët bënin rotacion dhe zëvendësonin policët e rregullt në stacionin policor në Leposaviq,” – thuhej në një përgjigje të këtij misioni dhënë për Telegrafin.

Nacionale kishte raportuar vazhdimisht se si një numër i konsiderueshëm i policëve të vendit përgjatë dy javëve nuk ishin ndërruar fare nga ana e menaxhmentit në Prishtinë.

Bëhej fjalë për Jarinjën dhe Leposaviqin, pasi në afërsi të Bërnjakës ishin gjetur rrugë alternative për t’u kryer një operacion i tillë policor.

Në lidhje me këtë shpërfillje të policëve të Kosovës në ato pjesë ka pasur edhe reagime të shumta publike, e madje edhe kritika drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës.

Të ngjashme