Sport
Barcelona rrezikon shumë, dy lojtarë pritet të largohen
Demokracia
22:52 | 17 Janar 2022

Share:

Barcelona nuk gjen qetësi. Atëherë kur dukej se Xavi po krijonte mozaikun e tij, e ardhmja e afërt mund t’i rezervojë surpriza të pakëndshme.

Dy nga lojtarët që cilësoheshin si pjesë esenciale e projektit të ri nën drejtimin e Xavi, Osman Dembele dhe Frenki de Yong mund të lënë ekipin në merkaton e dimrit.

E ardhmja e të dyve mund të jetë në Premier Ligë, me francezin i cili ka vendosur të mos rinovojë kontratën me klubin “Blaugrana” dhe me holandezin që pëlqehet shumë nga Çelsi. Lojtari që i prish më shumë punë Ksavit është Dembele.

Trajneri i Barcelonës, që në ditën e emërimit të tij e ka bërë të qartë se Dembele është në qendër të projektit të tij. Por me sa duket Barcelona dhe përfaqësuesit e lojtarit nuk kanë lëvizur nga “llogoret” e tyre dhe Barça rrezikon ta humbasë për hiçgjë sulmuesin.

REFUZIMI I DEMBELESË – Nga klubi dhe nga lojtari nuk ka asgjë zyrtare për momentin, por për gazetën e Barcelonës, “Sport”, gjithçka është e mbyllur, Osman Dembele nuk do të rinovojë me katalanasit. Sipas kësaj gazete ai i ka thënë klubit se do të largohet falas në verë. Një gjë e tillë nuk është pritur mirë në Barcelonë, edhe pse refuzimi ndihej, ishte në “ajër”.

“Sport” ka bërë me dije se Dembele e ka marrë vendimin për të refuzuar rinovimin me Barcelonën fill pasi klubi firmosi me sulmuesin e kombëtares spanjolle Ferran Torres. Në këtë mënyrë Barcelona ka diçka më shumë se dy javë kohë për të gjetur blerës për Dembelenë për të mos e humbur me parametra zero në fund të sezonit. Sipas mediave spanjolle, për shërbimet e Osman Dembelesë kanë shfaqur interes Juventusi në Serinë A dhe Manchester United në Premier.

CHELSEA, PËR DE YONGUN – Dembele mund të mos jetë lojtari i vetëm i Barcelonës që mund të largohet në merkaton e dimrit. Një tjetër emër i lakuar është ai i Frenki de Jong. Holandezi ka humbur statusin e “të paprekshmit” dhe Barcelona ka shfaqur gatishmërinë e saj për të dëgjuar oferta të mundshme në adresë të mesfushorit të vet. Një e tillë ka mbërritur në zyrat e klubit, të paktën duke iu referuar lajmeve nga Anglia.

Sipas gazetës “Daily Mail”, Chelsea është gati të paguajë 40 milionë euro për Frenki de Jongun. Barcelona nga ana e vet kërkon 60 milionë euro, por në këto kushte edhe mund të pranojë ofertën e kampionëve të Europës. Po sipas “Daily Mail”, për De Jongun ka shfaqur interes edhe Bayerni i Mynihut. /Demokracia.com

Të ngjashme