Lajme
“Barbie” Osmani: Veç një herë për 365 ditë e unifikoi skenën politike
Demokracia
17:49 | 31 Dhjetor 2023

Share:

Kushtetuta thotë se e përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës. Megjithatë, për 365 ditë të vitit 2023, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, arriti që veç një herë t’i ketë në zyrë të gjithë krerët e partive opozitare dhe të institucioneve të tjera. Kjo madje ndodhi pas njërës prej ngjarjeve më të rënda në vitet e fundit – sulmi terrorist i 24 shtatorit. Për këto ditë të këtij viti, kryetarja e shtetit tentoi edhe dy herë që të ulej për bisedim me opozitën, por një gjë e tillë nuk u arrit.

Një vit me shumë zhvillime, me shumë ngjarje. Njëjtë ishte edhe për institucionin më të rëndësishëm të vendit, Presidencën.

Çka bëri presidentja për një vit? Kështu, Prindon Sadriu, bashkëshorti i saj i cili së fundi mori një pozitë të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Jashtme, vendosi ta publikojë numrin e vizitave dhe takimeve të saj, shkruan Nacionale.

Ai ka llogaritur diku rreth 200 takime e 37 vizita jashtë vendit. Prej këtyre vizitave, sipas Nacionales të paktën, ndoshta dy që mund të vendosen më në pah janë takimet me presidentin amerikan, Joe Biden dhe sekretarin amerikan, Antony Blinken – edhe kjo – në kuadër të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Sidoqoftë, ne në Nacionale përmes këtij shkrimi do të merremi me ndoshta njërën prej detyrave të saj më të rëndësishme – unifikimin e skenës politike.

Sa arriti presidentja Osmani ta kryejë këtë detyrë?

I

Më 22 qershor të këtij viti, presidentja Osmani i ftoi në takim kryetarët e partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Siç njoftonte Presidenca atë kohë, ishte kjo një thirrje në vazhdën e takimeve për koordinim institucional, pra pas atyre me kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, ministren e Punëve të Jashtme e ministra nga institucione të tjera.

Në takim, nga opozita i kishte shkuar vetëm kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe aty kishin diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe ato të sigurisë në vend.

Memli i PDK-së e Lumiri i LDK-së kishin refuzuar një ftesë të tillë.

“Presidentja ka shprehur keqardhje që partitë e tjera opozitare kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka ritheksuar, se në përputhje me Kushtetutën do të vazhdojë të angazhohet në përfaqësimin e unitetit qytetar…”– thuhej më pas në një reagim.

II

Përpjekja e dytë për një takim me opozitën ishte edhe ajo që rezultoi e suksesshme. Ishte vetëm tri ditë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku një grup serb i armatosur rëndë, në krye me kriminelin Milan Radoiçiq, e la të vrarë zyrtarin policor kosovar, Afrim Bunjaku.

Më 27 shtator, para se t’i takonte krerët e opozitës, presidentja Osmani kishte zhvilluar një takim me kreun e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Petrit Ajeti.

“Kryetarët e partive opozitare, janë informuar, brenda kufizimeve që lejon korniza ligjore, lidhur me zhvillimet e sigurisë, punën e institucioneve të Kosovës si dhe për rreziqet e shkaktuara nga Serbia për shkak të agjendës së saj destabilizuese e luftënxitëse e cila po shfaqet nëpërmjet akteve të agresionit dhe të terrorizmit” – njoftoi atë ditë presidenca, me premtimin se liderët opozitarë do të njoftoheshin për secilin zhvillim sa i përket asaj situate.

III

Gjatë muajit të fundit të këtij viti, presidentja i ftoi edhe një herë në takim partitë opozitare, kjo për shkak të draft-statutit të Asociacionit, i cili u propozua nga partnerët ndërkombëtarë.

I vetmi që i shkoi presidentes në këtë takim, ishte kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Pas përfundimit të takimit, presidenca u shpreh si vijon:

“Më tej, Presidentja Osmani me z.Abdixhiku ka diskutuar për Drafstatutin e Asociacionit dhe në këtë kontekst, ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit”.

Ndryshe prej partisë tjetër të madhe opozitare, PDK-ja nuk shkoi në këtë takim. Rreth kësaj, kreu i këtij subjekti politik foli në një intervistë me gazetarin e Nacionales, Muhamet Koci.

Sipas tij, ky takim “nuk kishte ndonjë vlerë” dhe pikërisht kjo ishte arsyeja edhe pse e refuzoi.

“Takimin për të diskutuar, siç thuhet në ftesë: ‘për zhvillimet aktuale, takim konsultativ’ dhe ku mund të flitet edhe për propozimet që lidhen me dialogun, nuk kam shkuar jo për arsye të tjera, por për faktin që asgjë nuk del dhe as nuk prodhohet gjë nga një takim i tillë. Është kryeministri i Kosovës ai që e ka prerogativën kushtetuese dhe përgjegjësinë ligjore që ta lëvizë përpara për sa i përket procesit të dialogut duke përfshirë edhe Asociacionin; kjo nënkupton pranimin por edhe refuzimin, apo propozimin alternativ. I takon kryeministrit” – u shpreh Krasniqi.

Në takim nuk shkoi as AAK-ja. Sipas kësaj partie, kryetarja e shtetit s’e respektoi orarin e caktuar. Kështu, ata edhe e refuzuan takimin që ishte paraparë të mbahej.

“E kishim një vullnet të mirë për të biseduar me Presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit. Kryetari Ramush Haradinaj si dhe Sekretari i Përgjithshëm Muharrem Nitaj ishin në Presidencë në orarin e përcaktuar nga Presidentja Osmani, por fatkeqësisht Presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar”– deklaruan nga AAK-ja.

Për dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, por edhe për një pjesë të LDK-së, Osmani as gjatë këtij viti nuk e ka luajtur rolin që i takon më Kushtetutë. Madje, sipas tyre, ajo është shndërruar në instrument politik të kryeministri Albin Kurti. Për këtë arsye, PDK-ja dhe AAK-ja e kanë bojkotuar edhe adresimin vjetor të presidentes Osmani në Kuvendin e Kosovës, i cili u mbajt më 15 dhjetor.

Të ngjashme