Lajme
Bankat mbi 100 milionë euro fitime në vit, BQK i ulë pak tarifat e deponimit të monedhave për bizneset
Demokracia
15:41 | 09 Shkurt 2022

Share:

Bizneset vendore përmes odave ekonomike ishin ankuar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) për tarifa të larta të deponimit të monedhave të hekurit nëpër bankat komerciale.

Për deponimin e monedhave të hekurit, deri në 100 euro, 5 euro ka qenë tarifa e komisionit dhe 1 euro pagesa për shërbime, gjegjësisht 6 euro iu ka kushtuar bizneseve kjo punë.

Për këtë BQK-ja ka vendosur ta ulë tarifën e komisionit, me idenë që t’iu krijojë lehtësira bizneseve.

Në një përgjigje për Demokracia.com nga BQK-ja e kanë pranuar se kanë marrë shumë ankesa dhe si rrjedhojë kanë vendosur që ta ndryshojnë tarifën.

“BQK-ja ka pranuar disa ankesa nga palë relevante lidhur me deponimin e monedhave të hekurit në bankat komerciale që operojnë në vend. Përveç kësaj, sikurse jeni në dijeni, kjo çështje është diskutuar edhe gjatë takimit që BQK-ja ka pasur me përfaqësues të odave, në të cilin takim është ngritur shqetësimi lidhur me tarifat e aplikuara nga bankat për deponimin e monedhave. Sikurse kemi diskutuar në takimet me odat, BQK-ja ka marrë vendimin për zvogëlimin e tarifës për depozitimin e monedhave për bankat, nga 5.0% në 3.75%”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Megjithatë, BQK-ja vendosjen e çmimeve të larta për shërbime në bankat komerciale e lë tek konkurrenca e lirë, përkundër që ky institucion është rregullator dhe mbikëqyrës i sistemit bankar në Kosovë.

“Bazuar në legjislacionin në fuqi, Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Tarifat përcaktohen nga ofruesit e shërbimeve financiare, siç përcaktohen edhe çmimet e produkteve të tjera që gjenden në treg, në përputhje me parimet e ekonomisë së lirë të tregut”, arsyetohet BQK-ja për tarifat e larta në përgjigje për Demokracia.com

Ankesa për çmimin e lartë të deponimit të monedhave të metalta kishte pasur disa herë edhe Burim Piraj, pronar i kompanisë “Meka”.

Ai e ka konsideruar absurd këtë tarifë që po e aplikonin bankat komerciale për klientët.

“A është kundër ligjore dhe kundër kushtetuese të vendoset “komision” e që në fakt është taksë 5% në deponim të parave metalike. Shpeshherë artikuj të ndryshëm shiten me fitim më të vogël se 5% e këta parasë fitimin ja vendosin 5%, plus “tarifë” 1 euro për çdo deponim qofshin të letrës ose të hekurit në të gjitha bankat e Kosovës. Euro është monedha e Kosovës dhe si e tillë nuk guxon të refuzohet si monedhë për shitblerje e as për deponim në bankë ose në thesarin e shtetit e as të vendoset fitim në qarkullim të saj pasi që është monedhë shtetërore”, kishte shkruar Piraj.

Fitimi i bankave komerciale në vitin 2021 kalon vlerën e 107 milionë eurove, bazuar në të dhënat e BQK-së, ose kthyer në muaj, gati 10 milionë euro fitim.

Në Kosovë aktualisht janë 11 banka komerciale që kryejnë shërbime, ndërsa dy nga to kanë kapital vendor, të tjerat janë me kapital të huaj. /Demokracia.com/

Të ngjashme