Auto&Tech
Banka e Anglisë merr në konsideratë planin e parasë digjitale, do të përdoret nga familjet dhe bizneset
Demokracia
20:23 | 20 Prill 2021

Share:

Banka e Anglisë dhe Thesari i Shtetit kanë njoftuar se po krijojnë një taskforcë për të shqyrtuar mundësinë e hapjes së një Banke Qendrore për monedhat digjitale. Objektivi kryesor është që të shikojmë sesa të larta janë risqet dhe mundësitë në lidhje me krijimin e një lloji të ri të parasë digjitale.

E emetuar nga Banka për përdorim nga familjet dhe bizneset, ajo do të ekzistonte së bashku me paranë kesh dhe depozitat bankare, në vend që t’i zëvendësonte ato. Asnjë vendim nuk është marrë nëse do të ketë një monedhë të tillë në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithsesi, qeveria dhe Banka dëshirojnë “të angazhohen gjerësisht me palët e interesuara” mbi përfitimet dhe praktikat e saj. Taskforca do të drejtohet bashkërisht nga Zv.Guvernatori i Bankës për stabilitetin financiar, Sir Jon Cunliffe dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimeve Financiare të Thesarit, Katharine Braddick.

Banka ka deklaruar edhe më pare se është e interesuar për një Monedhë Digjitale të Bankës Qendrore (CBDC) sepse “kjo është një periudhë e rëndësishme ndryshimesh në drejtim të parasë dhe pagesave. Përdorimi i parave në dorë në transaksionet financiare ka rënë në mënyrë të vazhdueshme në vitet e fundit, ndërsa pagesat e kartat e debitit kanë ardhur në rritje.

Përdorimi i kartave të kreditit dhe debiteve direkte ka shënuar gjithashtu rritje. Banka gjithashtu sheh të pasurit e monedhës së saj dixhitale si një mënyrë për të “shmangur rreziqet e formave të reja të krijimit të parave në mënyrë private”, përfshirë kriptomonedhat siç është Bitcoin.

“Nëse do të prezantohej një CBDC, ajo do të emetohej në paund, ashtu si kartëmonedhat, kështu që 10 paund CBDC do të kishin gjithmonë të njëjtën vlerë me një kartëmonedhë prej 10 paund”, tha Banka.

CBDC ndonjëherë mendohet se është ekuivalente me një kartëmonedhë digjitale, edhe pse në disa aspekte mund të ketë aq shumë të përbashkëta me një depozitë bankare. Çdo CBDC do të prezantohej së bashku me paranë e gatshme dhe me depozitën bankare, pra nuk do ta zëvendësonte atë.

Banka e Anglisë ka kohë që planifikon për krijimin e një monedhe dixhitale. Tani është Thesari ai që po merr në kosideratë seriozisht faktin e krijimit të një monedhe alternative dixhitale që do të përdoret nga familjet dhe bizneset.

Në thelb ai do të ishte një version digjital i sterlinës, i mbështetur nga Banka e Anglisë, që mund të ndryshojë sistemin financiar të pagesave. Nuk do të ishte një aset spekulativ i stilit Bitcoin me luhatje të egra në vlerë. Por do të ketë tërheqje të kufizuar për adhuruesit e kriptos, të cilët investojnë pikërisht për shkak të skepticizmit të tyre në lidhje me bankat qendrore.

Në vend të kësaj, gjëja revolucionare këtu mund të jetë marrëdhënia e drejtpërdrejtë që qytetarët e zakonshëm mund të kenë me Bankën Qendrore. Kjo konsiderohet gjithashtu si një mënyrë mjaft e mirë për të nxitur ekonominë.

Bankat Qendrore në teori do të dinin se kur dhe ku ka ndodhur çdo transaksion i parasë digjitale (e-cash). Kina si gjithmonë është një hap përpara në eksperimentet e saj në lidhje me paranë digjitale juan. Pjesë e fuqishme e këtij arsyetimi është të sigurohet që MB të vazhdojë të mbetet si një ndër mbështetësit kryesorë të inovacionit financiar.

Shumica e Bankave Qendrore në botë po shikojnë mundësinë e krijimit të një monedhe të tillë, por e vetmja që ekziston tashmë është juani dixhital i Kinës, i cili aktualisht po i nënshtrohet testimit publik.

Ndër objektivat e taskforcës së MB është monitorimi i zhvillimeve ndërkombëtare, “për të siguruar që MB të mbetet një ndër mbështetësit kryesorë të inovacionit global”.

Banka gjithashtu njoftoi krijimin e një forumi angazhimi të CDBC dhe një forumi teknologjie, si dhe një njësie CBDC brenda vetë Bankës, mbikëqyrur nga Sir Jon. Asnjë orar zyrtar nuk është bërë ende publik mbi veprimet e taskforcës./BBC/

Të ngjashme