Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në tregun e punës, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore. Sipas raportit, shkalla e punësimit në vend mbetet e ulët, nën 37 për qind, duke reflektuar probleme strukturore të thella, përfshirë pjesëmarrjen e ulët në tregun e punës, mospërputhjen e aftësive me kërkesat e tregut dhe pabarazitë gjinore.
Në vitin 2024, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në Kosovë u rrit lehtë në 41.6 për qind, por, sipas Bankës Botërore, mbetet dukshëm më e ulët në krahasim me vendet fqinje si Shqipëria dhe Mali i Zi, ku kjo shkallë mesatarisht arriti në 63.7 për qind.
Raporti gjithashtu thekson pabarazitë e theksuara gjinore në Kosovë. Ndërsa në nivel rajonal hendeku i pjesëmarrjes mes grave dhe burrave ra me 0.5 pikë përqindje në vitin 2024, duke zbritur në 19.2 për qind, në Kosovë ky hendek mbetet pothuajse dyfish më i madh.