Lajme
Banka Botërore: Pandemia shkaktoi 17 trilion dollarë humbje, la pasoja edhe në shkollimin e fëmijëve
Demokracia
11:04 | 08 Dhjetor 2021

Share:

Studimet e fundit zbulojnë se në mbarë botën pandemia ka pasur një ndikim shumë më negativ në shkollim se sa mendohej sidomos për fëmijët me të aftësi të kufizuara.

21 muaj pas shpërthimit të pandemisë, shkollat ​​për miliona fëmijë mbetën të mbyllura, paralajmëron Banka Botërore në raportin më të ri për pandeminë e koronavirusit. “Disa nuk do të shkojnë më ndoshta kurrë në shkollë.” Kjo humbje e mësimeve për shumë fëmijë është “moralisht e papranueshme”.

Si pasojë konkrete, përqindja e fëmijëve që nuk janë në gjendje të lexojnë dhe kuptojnë një tekst të thjeshtë deri në moshën dhjetëvjeçare mund të rritet në pothuajse 70 %, thuhet në raportin e Bankës Botërore. Para pandemisë, kjo shifër ishte rreth 50 %, për shkak të mundësive të dobëta për shkollim në shumë vende.

Ekspertët financiarë të agjencisë së specializuar të OKB-së supozojnë se fëmijët e prekur nga mbyllja e shkollave do të humbasin gjithsej rreth 17 trilionë dollarë gjatë jetës së tyre. Vitin e kaluar Banka Botërore i kishte vendosur këto humbje financiare të pritur në 10 trilion dollarë, që do të thotë se rritja e humbjeve të pritura gati është dyfishuar.

Studimet e tyre treguan gjithashtu se fëmijët më të varfër dhe me aftësi të kufizuara janë shumë më të prekur nga mësimet e humbura sesa të tjerët. Mesatarisht atyre u është ofruar shumë më rrallë mundësia e mësimit në distancë ose online.

Qeveritë në mbarë botën kanë marrë mbështetje ekonomike prej triliona dollarësh për të mbrojtur ekonomitë e tyre nga kriza e virusit Covid-19. Por vetëm më pak se 3 % e këtyre fondeve janë investuar në shkollim, ankohen ekspertët e Bankës Botërore. /SCAN

Të ngjashme