Lajme
Banka Botërore: Lufta Izrael-Hamas mund t’i japë një goditje serioze zhvillimit ekonomik në botë
Demokracia
21:20 | 24 Tetor 2023

Share:

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit mund t’i japë një goditje “serioze” zhvillimit ekonomik në mbarë botën, tha presidenti i Bankës Botërore.

“Tani për tani ka kaq shumë gjëra që po ndodhin në botë në gjeopolitikë, në luftërat që po shohim, në atë që sapo ndodhi në Izrael dhe Gaza,” tha Ajay Banga në një konferencë financiare në Arabinë Saudite.

“Në fund të fundit, kur i bashkoni të gjitha këto, mendoj se ndikimi në zhvillimin ekonomik është edhe më serioz. Mendoj se jemi në një pikë shumë të rrezikshme”, deklaroi ai.

Udhëheqësit botërorë kanë frikë se lufta aktuale mund të përhapet në një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Lufta tashmë ka goditur ekonominë e Izraelit, duke bërë që Banka e Izraelit të shkurtojë parashikimet e rritjes.

Gjithashtu ajo shkaktoi edhe një valë të rritjes së çmimeve të naftës me 4% e cila përpara disa ditësh u tregtua afër 94 dollarëve për fuçi.

Çmimet e naftës u lehtësuan të hënën(23 tetor) pas intensifikimit të përpjekjeve diplomatike për të zgjidhur konfliktin Izrael-Palestinë.

Standardi global i naftës së papërpunuar Brent tregtohej me 91.80 dollarë për fuçi një rënie prej 0.39% nga çmimi i mbylljes prej 92.16 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të premten.

Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) tregtohej në të njëjtën kohë me 87.66 dollarë për fuçi, 0.48% më pak nga mbyllja e së premtes me 88.08 dollarë për fuçi. Samiti i paqes në Kajro u mbajt të shtunën për të diskutuar zhvillimet e fundit në konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës me pjesëmarrjen ndërkombëtare, arabe dhe të OKB-së.

Të ngjashme