Banka Botërore ka miratuar një paketë kredish dhe garancish për Ukrainën në total prej 723 milionë dollarë.
Financimi do të ndihmojë qeverinë ukrainase të paguajë për shërbimet qeveritare, duke përfshirë pagat për punonjësit e spitaleve, pensionet për të moshuarit dhe programet sociale për të pambrojturit.
Banka Botërore përmes një deklarate zyrtare ka thënë se po përgatit 3 miliardë dollarë shtesë në mbështetje të Ukrainës dhe vendeve fqinje, të cilat kanë pranuar më shumë se 1.7 milionë refugjatë që nga fillimi i pushtimit rus.
“Grupi i Bankës Botërore po ndërmerr veprime të shpejta për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj përballë dhunës dhe përçarjes ekstreme të shkaktuar nga pushtimi rus”, ka thënë presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, përcjell Demokracia.com.
“Grupi i Bankës Botërore qëndron përkrah popullit të Ukrainës dhe rajonit. Ky është i pari nga shumë hapa që po ndërmarrim për të ndihmuar”, ka shtuar ai.
Sipas Bankës Botërore, financimi i njoftuar të hënën përfshin 350 milionë dollarë kredi shtesë, së bashku me garancitë në total prej 139 milionë dollarësh nga Holanda dhe Suedia.
“Financimi i granteve prej 134 milionë dollarësh do të vijë nga Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Letonia, Lituania dhe Islanda. Japonia po siguron 100 milionë dollarë financim shtesë”, thuhet në deklaratën e Bankës Botërore. /Demokracia.com/