Lajme
Banesat për çiftet e reja, premtimi i harruar i Kurtit
Demokracia
08:24 | 22 Dhjetor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një prej premtimeve më të rëndësishme të tij e kishte edhe ndërtimin e banesave për çiftet e reja.

Ndonëse po bëhen gati tri vjet prej që Kurti është në pushtet, ai dhe Qeveria e tij nuk kanë bërë asgjë deri më tani për realizimin e këtij premtimi të madh, shkruan Demokracia.com.

Kurti si opozitar në një fjalim të tij në Kuvend thoshte se ndërtimi i banesave për çiftet do të mund ta ndalte edhe braktisjen e vendit nga të rinjtë. Por, ai nuk bëri asgjë edhe përkundër paralajmërimeve të qytetarëve për ikjen nga vendi, pas 1 janarit, datë kjo kur do të liberalizohen vizat për qytetarët.

“Mungesa e banesave për çiftet e reja. Të gjithë jemi dëshmitarë se të rinjtë e të rejat në të 20-tat e tyre fejohen e kalojnë vite të tëra e nuk martohen, se nuk kanë ku martohen. Janë të panumërta rastet kur çiftet e reja dalin të jetojnë me qira dhe detyrohen të kthehen tek prindërit e ndoshta një ditë edhe ikin nga vendi. Ndërkaq, ne infrastrukturë e mendojmë vetëm asfaltin e jo banesat për çiftet e reja. Banesat për çiftet e reja janë tejet të rëndësishme në mënyrë që të mos ikë rinia”, thoshte ai.

Qeveria aktuale, e cila është zgjedhur në mars të vitit 2021, ka premtuar ndërtimin e 4.000 njësive banesore.

Sipas programit të saj, familjet përfituese do të bëheshin pronare të banesave me këste mujore prej vetëm 120, respektivisht 150 eurosh në muaj, për një periudhë kohore prej 150 muajsh.

Përparësi do të kishin çiftet e reja, të cilat kanë mundësi të limituara financiare për të blerë banesa me çmime të tregut.

Ndonëse kanë kaluar gati tri vjet prej se ky premtim është bërë formal, ndërtimi i këtyre banesave nuk ka filluar.

Në shkurt të këtij viti, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare kanë nënshkruar një marrëveshje për studim të fizibilitetit për banim dhe kosto të përballueshme. Kostoja e ndërtimit për këtë projekt është thënë se sillet në rreth 200 milionë euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë asokohe se projekti do të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti.

“Si Qeveri do ta bëjmë të pamundurën që projekti i planifikuar për ndërtimin e 4.000 njësive banesore, të realizohet sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme