Sport
Ballkani tenton “bombën” e radhës në merkato, interesohet për yllin shqiptar që luan në Turqi
Demokracia
16:06 | 21 Dhjetor 2021

Share:

Ndonëse Superliga e Kosovës në futboll ka shkuar në pushim dimëror, skuadra e Ballkanit dëshiron ta shfrytëzojë këtë kohë për ta përforcuar skuadrën në afatin kalimtar të janarit.

“Grepin” për të transferuar lojtarë Ballkani duket se e ka hedhur edhe jashtë Kosovës, gjegjësisht në futbollin turk.

Siç merr vesh Demokracia.com, Ballkani ka shprehur interesim për futbollistin shqiptar, Kristal Abazajn.

Abazaj për momentin luan në Turqi, konkretisht në skuadrën e divizionit të dytë, Istanbulspor.

Krahas dëshirës së madhe, Ballkani nuk do ta ketë fare të lehtë transferimin e Abazajt, ngase përveç tyre në listën e skuadrave të interesuara për shërbimet e tij, siç mëson gazeta, është edhe klubi shqiptar, KF Tirana.

25-vjeçari luan në pjesën ofanzive, si sulmues i krahut, por edhe në qendër të saj.

Kristaj Abazaj i lindur në Elbasan në të kaluarën ka mbrojtur ngjyrat e Anderlechtit, Kukësit, Osijekut, Skënderbeut e Luftëtarit.

LEXO EDHE: Nexhipi rrëfen gjithçka rreth Ballkanit: Dritën e shoh rivalin më të madh për titull, në janar do të ketë prurje por edhe largime

Se Ballkani do të jetë aktive në merkaton e dimrit e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i klubit, Nderim Nexhipi.

Ky i fundit në një intervistë për Demokracia.com të dhënë më 16 dhjetor kishte theksuar se ata mund të përforcohen me 2 apo 3 futbollistë në merkato.

“Me 1 janar hapet më merkato. Ne do të ulemi më gjithë stafin dhe do të diskutojmë se cilat janë mundësitë dhe kërkesat që do t’i ketë trajneri dhe do të mundohemi t’i plotësojmë. Besoj se ndërhyrje nuk do të ketë shumë pasi ekipin e kemi të kompletuar, por 2-3 mund të na vijnë si përforcime dhe sigurisht që do të shohim a do të ketë largime nga klubi, pasi kemi pasur një grumbullim të madh të lojtarëve. Sido qoftë, në diskutime me stafin dhe trajnerin do të merren vendimet. Do të punojmë shumë që sa më të plotësuar ta fillojmë pranverën”, kishte thënë Nexhipi për Demokracia.com.

Ndryshe, Ballkani sot (e martë 21 dhjetor) ka ndarë rrugët me trajnerin, Bekim Isufin. /Demokracia.com/

Të ngjashme