Kampioni i Kosovës, Ballkani të dielën do të ketë një ndeshje tejet të rëndësishme në kampionatin e Kosovës.
Skuadra nga Suhareka që tash është duke luftuar në dy fronte, kampionat dhe garat ndërkombëtare në Conference League, këtë vikend ndeshet me Dritën në kuadër të javës së gjashtë në Superligën e Kosovës në futboll, shkruan Demokracia.com.
Pas paraqitjes shumë të mirë në sfidën ndaj Cluj në fazën e Grupeve në Conference League, ekipi i drejtuar nga Ilir Daja, tash mendon për kampionat aty ku e kërkon mbrojtjen e titullit.
Megjithatë Demokracia.com mëson se sfidën me Dritën e pret me telashe. Dy futbollistët kryesorë në mesfushë, Edvin Kuc dhe Qëndrim Zyba pritet të mos jenë në dispozicion të trajnerit pas lëndimeve të pësuara. Kuc u lëndua me Prishtinën dhe mungoi në mesjavë, derisa Zyba u lëndua me Clujn dhe sipas të gjitha gjasave asnjëri nuk do të luajë me Dritën dhe kjo do të jetë një hendikep i madh për suharekasit.
Ndeshja Ballkani – Drita luhet të dielën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas nga ora 15:00. /Demokracia.com