Lajme
Balje e Berisha dorëzojnë ankesë në Supreme kërkojnë anulimin e votave edhe në disa komuna
Demokracia
12:26 | 09 Mars 2021

Share:

Kryetarja e Unionit Socialdemokrat, Duda Balje dhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme, pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), për rinumërimin e votave në disa komuna me shumicë serbe në Kosovë.

Duda Balje dhe Veton Berisha kanë dorëzuar ankesë në Supreme, pas vendimit të PZAP-së, për rinumërimin e votave në disa komuna me shumicë serbe në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Balje beson se pas vendimit të Gjykatës Supreme do të sigurojë një vend në Kuvendin e Kosovës.

“Ne thirremi në emrin e Kushtetutës për me i mbrojt të drejtat tona. Po besoj që do të sigurojmë një ulëse’’, tha Balje.

Ajo më tej tha se e ka mirëpritur vendimin të cilin e ka marrë dje PZAP, për rinumërimin e votave në vendbanimet boshnjake.

“Ne dje kemi marrë vendimin e PZAP-së dhe unë si përfaqësuese e boshnjakëve jam e kënaqur. Kemi pasur dy pika të paqarta. Ne e kemi bërë një analizë dhe kemi paraqitur si dëshmi”, ka thënë Balje.

Nga ana tjetër, Veton Berisha thotë se vendimi i PZAP-së ishte i drejtë, e po ashtu ai pret rinumërim edhe në tri komuna.

“PZAP ka marrë vendim për disa komuna dhe ankesa ka qenë për disa. Për 5 komuna ka marrë vendim meritor, ndërkaq për disa të tjera jo. Sot kemi ardh edhe për tri komuna tjera, ndër to është edhe Graçanica”, tha Berisha.

Kujtojmë se ankesë në Gjykatën Supreme, gjatë ditës së sotme, ka dorëzuar edhe Adrijana Hoxhiq nga Lista “Ujedinjena Zajednica” (Komuniteti i Bashkuar),lidhur me vendimin e PZAP-së që t’ia anulojë votat që i mori në komunat me shumicë serbe./Demorkacia.com/

 

Të ngjashme