Sport
Bale kujton vitet tek Real Madridi: Ronaldo thyente dhomat e zhveshjes kur nuk shënonte gol, bëhej i padurueshëm
Demokracia
19:58 | 01 Korrik 2023

Share:

Gareth Bale ndoshta nuk ishte ai lojtari gjithmonë me pamjen e buzëqeshur, por te Reali i Madridit fitoi gjithçka, madje u ngop, aq sa… 5 Champions, 4 Botërorë Klubesh, 3 Superkupa Evrope.

Dhe ndoshta mund të kuptohet pse vendosi që t’i hyjë golfit shumë shpejt, duke qenë se maksimumin e maksimumit e arriti përkrah dy legjendave si Karim Benzema dhe Cristiano Ronaldo. Madje, duke iu rikthyer kujtimeve të viteve të arta, uellsiani, nga mikrofonat e turneut të golfit, “BMW International Open Pro-Am”, ka treguar përshtypjet fantastike që i kishte lënë portugezi. Edhe pse ai pranon se kishte shumë ego, në të njëjtën kohë Bejl specifikon se ai ishte një lider i grupit, një person që nuk ia hante hakun askujt:

“Ndryshe nga sa mund të dukej, Cristiano ishte një shok shumë i mirë dhe ne kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të shkëlqyer. Sigurisht, në disa momente bëhej edhe i padurueshëm, por kjo vetëm prej egos së tij, falë së cilës donte që të ishte më i miri. Po ju tregoj diçka…

Edhe nëse kishte raste që fitonim 5-0, por ndërkohë ai kishte dalë pa asnjë gol nga ajo ndeshje, Cristiano vinte dhe turfullonte në dhomat e zhveshjes. Shqelma shisheve, tension, shkurt ishte gati të shkatërronte dhomat e zhveshjes. Ndihej njësoj sikur të isha unë fituesi i një turneu golfi, por pa shënuar asnjë pikë”.

Lidhur me akuzat se edhe sukseset i donte të gjitha për vete, Bale saktëson.

“Nuk është aspak e vërtetë. Ronaldo ishte një fitues dhe donte të fitonte duke lënë vulën vetë, në çdo trofe. Por ndërkohë, sa herë që ka fituar secilin prej ‘Topave të Artë’ në karrierë, ai ka ardhur dhe e ka ndarë me ne atë. Na ka falënderuar gjithmonë, duke treguar se ishte një lojtar skuadre, jo një individualist”, përfundoi britaniku.

Të ngjashme