Profesori Arsim Bajrami ka treguar sesi tri-katër ditët e fundit të Konferencës së Rambouilles ishin kritike dhe se ishte dramatike kur erdhi Sekretarja amerikane e atëhershme, Madeleine Albright.
Ish-këshilltari i delegacionit të Kosovës në Rambouillet, ka treguar sesi drafti i dytë i propozuar gjatë Konferencës kishte qenë dukshëm më i keq dhe kishte shkaktuar revoltë te delegacioni i Kosovës.
“Momente dramatike ishin tri-katër ditët e fundit. Ishte shumë dramatike kur Albright erdhi në Kështjellë. Projekti i Rambouilles ishte amerikan. Amerikanët e sponsorizuan, me dokumente e ishin më numerik në Kështjellë. Albright merrte informacione çdo ditë për zhvillimet në konferencë. E kuptoi se ka probleme në delegacionin e Kosovës në arritjen e konsensusit që t’i thuhet po marrëveshjes. Vendosi të vinte vetë, ndonëse e kishte Holbrooken dorën të djathtë….Albright e shihte rrezik se do të dështonte kjo. Nuk harroj ato fjalime të saj. Mënyra se si i përkulej delegacionit të Kosovës që t’i thotë po marrëveshjes. Ajo jepte garanci se ne qëndrojmë prapa. Se do t’ju bëjmë zot të shtëpisë”, ka thënë Bajrami në “Konfront” të KTV-së.
Profesori e pjesëmarrësi i Konferencës së Rambouillet, Arsim Bajrami, ka treguar edhe për premtimin që ish-sekretarja amerikane Madeline Albright ia pati dhënë atëkohë Hashim Thaçit.
Gjatë konferencës në Francë më 1999, para se pala kosovare të firmoste marrëveshjen, Bajrami tha se Thaçi i kërkoi garanci Albrightit se do të mbahej një referendum pas tre vjetësh.
“Albright si diplomate e karrierës, i premtoi se pas tre vjetësh do të mbahej një konferencë tjetër, ku do të merrej parasysh vullneti i pastër i popullatës, nuk është pra një referendum i pastër, por ishte diçka ngjashëm. E dha një premtim personal, ajo e nënshkroi”, ka thënë Bajrami.
Më pas, sipas tij, çështja u dërgua në Këshill të Sigurimit dhe premtimi nuk u mbajt.
Kosova më pas më 2008 shpalli pavarësinë.