Lajme
Bajrami thotë se LVV-ja do të kapë gjithçka: Projektligji për Fondin Sovran, antikushtetues
Demokracia
18:50 | 08 Maj 2023

Share:

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka quajtur anti-kushtetues projektligjin për Fondin Sovran të Kosovës’.

Bajrami në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka treguar se sot e ka lexuar këtë projektligj i cili është në konsultim publik. Thotë se ka shumë vërejtje e pyetje për të.

Për më tepër, ish-ministrja e Financave shprehet se i vjen keq për mendësinë qeverisëse të LVV-së dhe “dëmet që po ia bëjnë vendit”.

“Pasi kanë kaluar disa muaj nga prerja e shiritit të projektit të vetëm insfrastrukuror “Ura e Staradranit” , tani Qeveria po flet për Fondin Sovran. Sot e lexova Projektligjin për Fondin Sovran që është në konsultim publik. Kam shumë vërejtje, shumë pyetje, shumë komente por mbi të gjitha me vjen sinqerisht keq për mëndësinë qeverisëse të LVV-së dhe dëmet që po ia bëjnë vendit. Tentativa me kapë çdo gjë, me shpërfillë çdo procedurë, çdo ligj, për më tepër me ligj me tejkalu edhe Kushtetutën, këtë vetëm qeveria e LVV-së e bën”, ka shkruar ajo, teksa shpjegoi se pse një projektligj i tillë është anti-kushtetues.

“Që të mos ju lodhë me detajet shihni veç çka thotë Neni 65, pika 1 dhe 2 e Projektligjit për Fondin Sovran: Neni 65 Zbatimi i ligjit

‘1. Ky ligj mbizotëron ndaj legjislacionit për shoqëritë tregtare, ndërmarrjet publike, Trepçën, Agjencinë e Privatizimit, administrimin e pronës publike, prokurimin publik, si dhe kontabilitetin dhe raportimin financiar. 2. Legjislacioni i punës nuk zbatohet lidhur me përzgjedhjen, emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të organeve dhe zyrtarëve të Fondit dhe të ndërmarrjeve’”, shtoi Bajrami.

“D.m.th. ky Fondi ka me e “zhvillu vendin” duke anashkalu krejt ligjet në fuqi. Për këtë Fond, bordin dhe organet e tij, që do të emrohen nga Qeveria/LVV-ja, s’ka me pasë Ligj të prokurimit – tenderat direkt me dosta/negociim i drejtëpërdrejtë, s’ka nevojë për kontabilitet, raportim finaciar, ligj të punës hiç se hiç, thjeshtë duhet me qënë i pëlqyshëm për pushtetin dhe mjafton”, theksoi ajo.

Krejt në fund, ajo u shpreh se gjëra të tilla nuk do të lejohen. Prandaj, nëse ky projektligj bëhet ligj, atëherë Bajrami shtoi se do të përfundoi në Kushtetuese.

“E ja ku po them publikisht, që gjëra të tilla nuk do të lejohen. Nëse ky Projektligj bëhet Ligj kështu siç është do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese si shumë të tjerë, sepse ‘prima facia’ ky Ligj është antikushtetues”, përfundoi ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e djeshme për Fondin Sovran të Kosovës, bashkë-organizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit Friedrich Ebert Stiftun, tha se “jemi afër themelimit të Fondit Sovran”.

Sipas tij Fondi Sovran krijon profit për shtetin e Kosovës. “Ndërmarrjet publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit Sovran”, theksoi ai.

Ai ka lavdëruar qeverisjen e tij për çka tha se janë bërë ndryshime në ndërmarrjet publike, duke i kthyer ato nga ndërmarrje që ishin me humbje ato me profit.

Në nenin 15 të projektligjit për Fondin Sovran janë të detajuara edhe qëllimet i tij.

“Fondi ka këto që­llime: të me­na­xhojë pa­suri të rëndë­si­shme publike, duke rri­tur vlerën, per­for­man­cën dhe kthi­min në in­ves­time për­mes mirë­qe­ve­risjes, plani­fi­ki­mit të duhur afat­gjatë dhe mbi­k­ëqyrjes së efekt­shme”.

Po ashtu, parashihet që ky Fond të jetë menaxher i aseteve  të ndërmarrjeve publike dhe inves­titor financiar, si dhe e ka mundësinë të themelojë ndërmarrje të reja.

“Fondi nuk mund të zotërojë më shumë se 30 për­ qind të aksioneve të shoqërisë pri­vate ose të shoqërisë që ka selinë, shumicën e kapitalit dhe ve­p­rim­tarinë kryesore jashtë Republikë së Kosovës. Por mund të themelojë ndërmarrje të re ose të fitojë pronësinë në ndërmarrje sipas nenit 28 të këtij ligji”.

Sipas draft-projektligjit, kapitali themeltar i Fondit është 20 milionë euro, i cili mund të rritet me statutin e Fondit.

Të ngjashme