Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në lidhje me Projektligjin për Energjinë Elektrike, duke akuzuar qeverinë Kurti për mungesë të rezultateve dhe për keqmenaxhim në sektorin energjetik.
Në një postim në Facebook, Bajrami thekson se Rizvanolli është e detyruar të kthehet në kohën e qeverisë së Isa Mustafës, për shkak se, sipas saj, “pas katër viteve s’ka çka tregon çka ka punu Albin Kurti”.
“Paska publikuar një të vërtetë që e di gjithë Kosova, secili qytetar i këtij vendi se vendime e punë në Republikën e Kosovës janë marrë e bërë para vitit 2021. E prej që LVV ka ardhur në pushtet nuk është punu diçka tjetër përtej tenderave në grupeve të WhatsApp-it,” shkruan Bajrami, duke shtuar se “ato pak vendime që i kanë marrë pasojat do t’i vuajmë edhe për dekada të tjera”.
Ajo përmend vendimin për miratimin e Projektligjit për Energjinë Elektrike, për të cilin thotë se ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Isa Mustafa, të cilin e konsideron si “kryeministri më i suksesshmi që ka pasë Republika e Kosovës”.
Bajrami i drejtohet drejtpërdrejt Rizvanollit me një sërë kritikash, duke e ftuar të lexojë me kujdes përmbajtjen e Ligjit për Energjinë Elektrike, veçanërisht Nenin 37 të tij. Ajo e akuzon KESCO-n dhe ZRRE-në për interpretim të gabuar dhe të jashtëligjshëm të këtij neni.
“Ky Ligj kërkon të ketë konkurrencë të lirë, nëse zbatohet siç duhet lufton mafien energjetike që e keni instaluar në Kosovë, për me tepër ky Ligj kërkon të ketë konkurrencë para se të vendosën konsumatorët në treg të lirë,” thekson ajo.
Duke shtuar kritikat për mungesën e konkurrencës në tregun energjetik, Bajrami pyet: “E qysh ‘treg i lirë’ kur vetëm KESCO shet energji? Ku po e shihni konkurrencën e lirë?”
Në vijim, ajo e konsideron të paligjshëm interpretimin që po i bëhet Nenin 37, paragrafi 2, të Ligjit për Energjinë Elektrike, duke thënë se KESCO po përjashton kompani nga shërbimi universal në kundërshtim me ligjin.
“Neni 37, paragrafi 2 thotë se për të qënë përfitues të shërbimit universal duhet të përmbushësh njërin nga kriteret: ose qarkullim nën 10 milionë Euro ose biznesi t’i ketë më pak se 50 punëtorë, ndërkohë që KESCO po i përjashton kompanitë nga shërbimi universal nëse nuk përmbushin të dy këto kritere,” shpjegon Bajrami, duke përmbyllur me theksimin se “dallimi në mes të ‘ose’ dhe ‘edhe’ është dallim i madh në Ligj”.