Lajme
Bajrami: Qeveria s’ka zgjidhje e po konfrontohet me sindikatat – po merren veç me targa
Demokracia
14:12 | 25 Gusht 2022

Share:

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se Qeveria e Kosovës në pamundësi për të ofruar zgjidhje për grevistët, ka zgjedhur rrugën e konfrontimit me ta.

Deklarata e Bajramit vjen pasi Ministria e Financave e ka kërkuar listën e grevistëve për t’iu ndalur pagën.

“Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dikur përkrahëse e secilës grevë në sektor publik e privat, duhet të gjejë zgjidhje shpejt për grevën e nisur sot sepse dëmi nga zgjatja e grevës mund të jetë i parikuperueshëm”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ajo ka thënë se “partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka për obligim të ulet me sindikalistet, të nisë dialogun social dhe të gjendet një zgjidhje për përfundimin e grevës”.

“Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke premtuar zgjidhje për secilin problem në nivel lokal, në nivel qendror, në nivel mbarëkombëtar e ndërkombëtar”, thotë Bajrami.

Deputetja opozitare tha se grevistët i mbron Ligji për Grevën, duke thënë se Qeveria nuk ka bazë ligjore që t’i ndëshkojë.

Ajo po ashtu tha se Qeveria Kurti përpos me targat më nuk po merret me asnjë problem tjetër.

“Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Kurti kanë mbetur te tema e tabelave dhe nuk po merren me asnjë problem tjetër. As me problemin e arsimit. As me problemin e energjisë. As me problemin e ekonomisë. As me problemin e shëndetësisë”, ka thënë Bajrami.

“Në vend të zgjidhjeve, Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti kanë zgjedhur të mos flasin për asnjë temë tjetër përveç për tabela dhe për takime me Vucicin, dikur prioritet i fundit”, mbaron postimi i Bajramit në Facebook.

Të ngjashme