Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj vendimit të Autoritetit të Konkurrencës për të mos marrë pjesë në takimin e thirrur në Kuvendin e Kosovës, ku do të diskutohet për çështjet e konkurrencës në tregun e energjisë elektrike dhe rritjen e çmimit të saj.
Në një reagim në Facebook, Bajrami e cilëson këtë refuzim si të papranueshëm dhe të paarsyeshëm, duke e konsideruar atë si një akt të mungesës së profesionalizmit dhe përgjegjësisë institucionale.
Sipas saj, Autoriteti e justifikon mungesën me nenin 21 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili përcakton se kjo është një agjenci e pavarur që i përgjigjet Kuvendit të Kosovës. Ironikisht, sipas Bajramit, pikërisht ligji që thekson përgjegjësinë ndaj Kuvendit po përdoret si arsye për t’iu shmangur atij.
“Në vend që të përgjigjeni me profesionalizëm, ju paskeni zgjedhë të mos vini në Kuvend, por refuzimi dhe heshtja nuk është pavarësi – është thënë më se buti paaftësi. Për pavarësinë s’po flasim fare sepse e dimë sa të pavarur jeni.
Ne megjithatë do të jemi nesër në Kuvend, bashkë me përfaqësues të bizneseve, ZRRE-së, KESCO-s dhe nuk do të ndalemi së pyeturi e së kërkuari përgjegjësi për rritjen e çmimit të energjisë dhe deformimin e tregut.
Ju mund t’i ikni një takimi, por jo edhe përgjegjsisë që ju jepë Ligji. Shihemi, nëse jo nesër, një herë tjetër”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Reagimi i plotë:
Autoriteti i Konkurrencës refuzon të marrë pjesë në takimin e nesërm në Kuvend, në emër të “pavarësisë institucionale”
E pabesueshme, por e vërtetë!
Autoriteti i Konkurrencës e justifikon refuzimin për ftesën në takim nesër duke cituar nenin 21, paragrafin 1 të Ligjit Nr. 08/L-056 – LIGJ PËR MBROJTJEN E KONKURRENCËS, ku thuhet se Autoriteti është agjenci e pavarur që i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra, i ikin Kuvendit duke u thirrur në ligjin që thotë se duhet t’i përgjigjen Kuvendit.
Sqarim për publikun:
Ne nuk kemi ftuar takim në zyre të LDK-së, kemi ftuar takim në Kuvend, ku janë të ftuara të gjitha partitë për të dhënë llogari para deputetëve e qytetarëve të këtij vendi.
Po i bëj publike vetëm dy pyetje që do t’i bëja nesër:
A ka KESCO pozitë dominuese në tregun e energjisë?
Shihni çfarë thotë LIGJI Nr. 08/L-056 – LIGJ PËR MBROJTJEN E KONKURRENCËS
Neni 9 – Keqpërdorimi i pozitës dominuese
1. Ndalohet keqpërdorimi i pozitës dominuese.
2. Ndërmarrja ose grupimi i ndërmarrjeve keqpërdor pozitën dominuese nëse:
2.1. drejtpërdrejt ose tërthorazi vendos çmim të padrejtë të blerjes ose shitjes ose kushte të tjera të padrejta tregtare;
2.2. kufizon prodhimin, tregjet ose zhvillimin teknologjik në dëm të konsumatorëve;
2.3. zbaton kushte të ndryshme për transaksione të barasvlershme me ndërmarrjet e tjera, duke i vënë ato në pozitë të pafavorshme konkurruese;
2.4. kushtëzon lidhjen e kontratës me detyrime shtesë që nga natyra ose përdorimi tregtar nuk kanë lidhje me objektin e kontratës;
2.5. vendos çmime ose kushte të tjera që kanë për qëllim ose rezultat pengimin e hyrjes në tregun përkatës ose nxjerrjen jashtë tregut përkatës të konkurrentëve të veçantë ose të produktit të tyre;
2.6. i refuzon ndërmarrjes tjetër qasje kundrejt shpërblimit të përshtatshëm në rrjet ose infrastrukturë, duke ia pamundësuar të veprojë si konkurrent.
3. Autoriteti nxjerr akt nënligjor për keqpërdorimin e pozitës dominuese.”
Pyetja tjetër për Autoritetin që po refuzojë të vijnë nesër në takim është:
A keni bërë vlerësimin e konkurrencës në bashkëpunim me ZRRE-në, siç e kërkon Ligji për Energjinë Elektrike?
“LIGJI Nr. 05/L – 085 – LIGJ PËR ENERGJINË ELEKTRIKE
Neni 26 – Zhvillimi i Konkurrencës
1. Rregullatori, në konsultim me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe me Zyrën e Ndihmës Shtetërore, së paku çdo dy (2) vite duhet të kryejë hetime lidhur me funksionimin e tregut të energjisë elektrike. Raportet e Rregullatorit duhet të publikohen pa vonesë.”
Në vend që të përgjigjeni me profesionalizëm, ju paskeni zgjedhë të mos vini në Kuvend, por refuzimi dhe heshtja nuk është pavarësi – është thënë më se buti paaftësi. Për pavarësinë s’po flasim fare sepse e dimë sa të pavarur jeni.
Ne megjithatë do të jemi nesër në Kuvend, bashkë me përfaqësues të bizneseve, ZRRE-së, KESCO-s dhe nuk do të ndalemi së pyeturi e së kërkuari përgjegjësi për rritjen e çmimit të energjisë dhe deformimin e tregut.
Ju mund t’i ikni një takimi, por jo edhe përgjegjsisë që ju jepë Ligji.
Shihemi, nëse jo nesër, një herë tjetër!