Lajme
Bajrami: Draft-statuti për Asociacionin i pranuar nga Kurti nënkupton zhbërjen e shtetit
Demokracia
09:50 | 23 Maj 2024

Share:

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe që kryeministri Albin Kurti e ka pranuar nënkupton zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Bajrami theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do ta pranojë këtë draftstatut të Asociacionit me anë të së cilit do të zbatohej autonomia e Kosovës.

“Do të donim që dialogu të vazhdonte sipas platformës e cila ka qenë e dakorduar nga ndërmjetësit në Qeverinë Hoti dhe gjithashtu e pranuar nga Serbia. Nuk do ta zbatojmë autonominë për shkak se draftstatuti i Asociacionit që z.Kurti e ka pranuar nënkupton zhbërjen e shtetit të Kosovës. LDK-ja zotohet para ndërkombëtarëve që t’i implementojë zotimet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nevojitet të kthehet besueshmëria dhe kredibiliteti i institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas Bajramit, kryeministri Kurti është dorëzuar de facto, por këtë gjë duhet ta bëjë edhe de jure.

“Çfarë po kërkojmë dhe insistojmë është që ai të marrë përgjegjësi. Nuk dëshirojmë që ta shfajësojmë e ta amnistojmë. Z.Kurti ka një kohë të gjatë që e ka kuptuar se bjeshka nuk shtyhet me gjoks”, ka thënë ajo.

Ajo më tej ka thënë se përfaqësuesit e LDK-së nuk takohen me Kurtin pasi “nuk duan të instrumenalizohen”.

“Kur është në pyetje për çështjet e sigurisë kombëtare mund edhe të takohemi me z.Kurti, mirëpo nuk mund të darkojmë për qejf, të instrumentalizohemi dhe të bëjmë marrëveshje me z.Kurti në mënyrë që ai ta caktojë datën e zgjedhjeve”, është shprehur deputetja e LDK-së të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së.

Derisa ka folur për marrëveshjen e Kosovës me Mbretërinë e Danimarkës për vendosjen e të burgosurve danezë në Burgun e Gjilanit, ajo ka thënë se është kundër kësaj marrëveshjeje pasi nuk dëshiron që Kosova të bëhet parking për strehimin e të burgosurve.

“Kosova nuk duhet të bëhet një parking, një vend ku ne i strehojmë të burgosurit. Ka rrezik për shkelje të të drejtave të njeriut. Nuk dua që ndërtesat tona të lëshohen me qira për të burgosur. Ne kemi shumë punë për t’i rehabilituar të burgosurit tanë. Unë nuk dëshiroj që Kosova të bëhet destinacion i burgjeve”, ka thënë ajo.

Të ngjashme